Hakerat nxorën emrat, Rrumbullaku qetëson: S'ka asnjë frikë, policët nuk janë nën presionin e askujt
Drejtori i përgjithshëm i Policisë Muhamet Rrumbullaku u tregua i qetë dhe tha se hakerat nuk kanë arritur të marrin informacionet e klasifikuara. Madje dhe publikimi i fundit i emrave dhe punonjësve të policisë dhe agjentëve për drejtorin e policisë nuk janë sekret shtetëror.
Muhamet Rrumbullaku: “Është një listë emrash. Pavarësisht se identifikohen dhe janë punonjës policie nuk kanë të bëjnë me informacionoin e klasifikuar sekret shtetëror dhe as me sistemet e policisë së shtetit.
I druheni publikimit të informacioneve sensitive të policisë?
Muhamet Rrumbullaku: Ne disponojmë 100% informacionin tonë. Asnjë informacion I klasifikuar pavarësisht deklaratave. Ne nuk kemi asgjë të ekspozuar.
Është pretenduar se kanë dhe sistemin Deep Sea
Muhamet Rrumbullaku: Sistemi Deep Sea është motor kërkimi. Nuk ka informacion nuk ka databazë nuk ka të dhëna. Por ekspertiza do të japë fjalën e fundit.
A ka frikë mes policëve pas publikimit të emrave?
Muhamet Rrumbullaku: Nuk ka asnjë lloj frike. Punonjësit e policisë nuk janë në presionin e askujt. Gjithsecili vazhdon funksionin e tij përkatës.
Deklarata u bë në një prononcim për gazetarët pas një tryeze të organizuar nga OSBE ku u prezantua dhe projekti që parashikonte që punonjës të policisë, prokurorë dhe gjyqtarë do të ishin pjesë e trajnimit në kuadër të luftës kundër trafikimit të qënieve njerëzore.
Më 10 tetor 2022 Presidenti Bajram Begaj mblodhi Këshillin e Sigurisë dhe kërkoi raportim nga drejtuesit e institucioneve më të rëndësishme në vend për t’u njohur sesa janë prekur nga sulmet kibernetike dhe masat e marrë për të shmangur agresione të tjera. Në këtë takim Kreu i Shtetit ishte edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë si dhe drejtuesja e AKSHI-t i cila në korrik ra pre e hakerave iranianë.
