Vranë taksistin në Rinas, Gjykata e Apelit lë në fuqi dënimet për dy vëllezërit Shera
Gjykata e Apelit të Tiranës ka lënë në fuqi dënimet për dy vëllezërit e akuzuar për vrasjen e taksistit 71-vjeçar, Abdullah Budlla në aksin Fushë Krujë-Vorë.
Ngjarja e rëndë ndodhi më datë 03.08.2020, ky autorët 2 vëllezërit, Sajmir dhe Arsil Shera qëlluan për vdekje taksistin.
Ata janë shpallur fajtor për krimin dhe janë dënuar të dy me 22 vite burg, por u janë ulur dënimet me 1/3 në 14 vite e 8 muaj burg për Sajmir Sherën.
Ndërsa për Arsil Sherën nga dënimi me 15 vite burg për vrasje me paramendim, i është ulur dënimi në 10 vite burg.
Ndërkohë vëllezërit apeluan vendimin lidhur me dënimet e tyre, por gjykata ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës së Tiranës më 9 shkurt 2022.
Njoftimi i Gjykatës:
Rezulton se autorët e vrasjes janë dy vëllezërit, shtetasit me iniciale S.Sh dhe A.Sh. Referuar interesimit të mediave, ju informojmë si më poshtë: Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, u zhvillua gjykimi lidhur me çështjen penale që i përket të pandehurve me iniciale S.Sh dhe A.Sh, të akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioni”, të parashikuara nga nenet 78, 25 dhe 278 të K. Penal.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr. 288, datë 09.02.2022 ka vendosur: Deklarimin fajtor të të pandehurit S.Sh, për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga Neni 78 dhe 25 të Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me njëzet e një vjet burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit S.Sh, për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioni parashikuar nga Neni 278 prg. 1 të Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me pesë vjet burgim.
Në zbatim të nenit 55 te K.Penal, në bashkim të dënimeve i pandehuri S.Sh, të dënohet me njëzet e dy vjet burgim. Në aplikim të Nenit 406/1 të K.Pr.Penale, të pandehurit S.Sh, i ulet 1/3 e dënimit dhe përfundimisht dënohet katërmbëdhjetë vjet e tetë muaj burgim.
2. Deklarimin fajtor të të pandehurit A.Sh, për kryerjen e veprës penale të "Vrasja me paramendim", kryer në bashkëpunim, parashikuar nga Neni 78 dhe 25 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me pesëmbëdhjetë vjet burgim. Në zbatim të Nenit 406 te K.Pr.Penale, përfundimisht i pandehuri A.Sh të dënohet me dhjetë vjet burgim.
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga i pandehuri me iniciale A.Sh, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit, deklarimin e pafajshëm për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” kryer në bashkëpunim si dhe mbi bazën e ankimit të bërë nga i pandehuri me iniciale S.SH, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit, caktimin e dënimit nën kufijtë e parashikuar me ligj.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Apelit Tiranë, e përbërë nga trupi gjykues me Relatore Gjyqtare znj. Elona Mihali dhe anëtarë znj. Alma Ahmeti dhe z.Fatri Islamaj, me vendimin nr. 944 , datë 11.10.2022 vendosi: Lënien në fuqi të vendimit nr. 288 datë 09.02.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

