Pedagogët sërish në shesh, lajmërojnë protestë më 14 tetor para Universitetit të Arteve
Sindikata e Punonjësve të Universiteteve ka bërë të ditur sot se i jep kohë qeverisë deri më 14 tetor, ditën e thirrjes së një proteste në Tiranë, që të negociojë kërkesat për rritjen e pagave dhe vlerësimin e pedagogëve dhe të stafit ndihmës, në të kundërt revolta do të përshkallëzohet deri në bojkotimin e auditorëve më datë 17 tetor.
Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë ka bërë thirrje për zhvillimin e një tjetër proteste përpara Universitetit të Arteve në Tiranë më 14 tetor, në orën 11:00.
Aleksandër Kovaçi, një nga drejtuesit e sindikatës që lexoi peticionin përpara mediave, tha se protesta synon të shtrojë në diskutim se si të trajtohen me dinjitet punonjësit në pagë dhe vlerësime dhe më pas do të kalohet në bojkotin e paralajmëruar të datës 17 tetor.
“Për të shprehur vendosmërinë tonë për realizimin e kërkesave të peticionit, ditën e premte, datë 14 tetor ora 11:00 të gjithë bashkë duhet të kërkojmë një vlërësim dinjitoz të punës sonë.
Ftojmë kolegët e universiteteve në të gjithë Shqipërinë që të mbështesin me pjesëmarrje protestën e datës 14 tetor 2022 ora 11 para Universitetit të Arteve Tiranë. Mbrojtja e të drejtave të çdo pjesëmarrësi në protestë garantohet me ligj.
E drejta për të protestuar është e garantuar nga Kushtetuta e Shqipërisë dhe Konventa Europiane e të drejtave të njeriut. qeveria ka një javë kohë, ndaj është dhe protesta e datës 14, kurse data 17 është e përcaktuar më parë. Në datën 14 do të diskutohet për hapat se si mund të plotësohen kërkesat tona".
Kovaçi tha se ka pasur intimidime ndaj pedagogëve.
"Ka pasur në mënyrë indirekte me telefonata që të mos përfshihemi në protesta, por nuk besoj se do të ndikojnë në interes të tyre" tha ai.
Sindikata e universiteve theksoi në deklaratë se është e vendosur të mbështesë kërkesat drejtuar Kryeministrit dhe Ministrisë së Arsimit.
Ajo e quan të papranueshme rritjen e premtuar me 7% të rrogës nga Kryeministri, ndërkohë rritja 30% këtë vit është një hap drejt rregullimit të gjendjes.