Shkodër: Dy të arrestuar dhe 22 kg kanabis e sekuestruar
Babë e bir në Shkodër kanë rënë në prangat e policisë pasi u janë gjetur 22 kilogramë kanabis, në proces tharjeje.
Gjithashtu një person tjetër është shpallur në kërkim.
Arrestimi i tyre u bë falë operacionit policor të koduar “Vigu”.
“Janë arrestuar në flagrancë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, shtetasit: M. N., 69 vjeç dhe K. N., 31 vjeç, banues në Vau i Dejës, Shkodër (babë e bir). Gjithashtu u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tyre, shtetasi P. L., 29 vjeç, banues në Vau i Dejës.”, njofton policia.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit M. N., në lagjen "Kinema", Vau i Dejës, ku kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale rreth 22 kilogramë kanabis, në proces tharjeje.
Punohet për kapjen e shtetasit P. L. dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.
