"Veliaj nuk më strehoi", Andrea Sula tregon si e gënjyen në Bashki para se ti shembin banesën
Me 6 tetor fadromat e IKMT-së erdhën në shtëpinë e Andrea Sulës.
Shtëpia e tij në Shkozë e ndërtuar me mund dhe djersë prej vitesh u shemb pasi prekej nga projekti i Unazës së Madhe.
"Doli në 2006 procesi i vetëdeklarimit. Kur kam bërë kërkesën më ka ardhur një leje që kishte një rrugë autostrade dhe kapte pjesërisht 10 metra vetëm pjesën e oborrit".
Një ditë para shembjes, 52-vjeçarit ju kërkuar të largohej nga shtëpia por pa ju mundësuar atij si fillim një strehim.
"Asgjë, këtë po kërkoj dhe unë."
Para se Erion Veliaj të bëhej kryetar bashkie, premtoi se do të ketë shpronësime të drejta.
"A e dini ju se cili ishte propozimi që bashkia u bëri atyre që do shpronësoheshin? Ishte, merrni 10% të vlerës së shpronësimit, për të tjerat flasim më vonë. Këshilli bashkiak me të drejtë tha: Do të nxjerrësh njerëz në rrugë që klientët e tu të bëjnë pallate dhe që në vend të parkut të bësh beton dhe që qytetarët që kanë shtëpinë aty do ti shpronësosh me 10%?!"

"Kam kaq kohë që nuk di çfarë të them, një traumë e paparë".
Por Andrea thotë se është interesuar në Bashki ku e mbajtën me gënjeshtra, ashtu siç bëri dhe kryebashkiaku në fillim.
Në ditën kur duhej të zbatohej ajo çfarë i thanë, Andrea tregon se gjërat ndryshuan.
"Shkova në bashki, më thanë se do të ofrohet një përkrahje sociale, do vish nesër. Shkova të nesërmen, thanë nuk na ka ardhur listë."
Që prej 6 tetorit 2022, 52-vjeçari sëbashku me bashkëshorten dhe dy fëmijët jetojnë në traumë psikologjike, ndërsa bashkia ka harruar të mbajë premtimin për ti strehuar apo dëmshpërblyer.
"Kam një traumë si familje. Kam 2-3 netë që nuk fle gjumë."
