Gjykata e lë në burg, Fatjon Murati mohon akuzën: S'kam lidhje me armët

Gjykata e Tiranës caktoi masën "arrest me burg" për Fatjon Muratin, të kërkuarin që u kap në makinë me Endrit Doklen tri ditë më parë në Tiranë. I pyetur për urdhër kërkimin e muajit korrik për arsenalin e armëve të gjetur në atë kohë, i riu ka thënë në gjykatë se nuk ka lidhje me ngjarjen.

Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë "arrest me burg" për Fatjon Muratin, i cili u arrestua 3 ditë më parë teksa ishte në një njëjtën makinë me Endrit Doklen në Tiranë.

Mjeti drejtohej nga Gentian Reçi, kunati i Dokles, ndërsa Murati akuzohet për armëmbajtje pa leje si dhe ishte shpallur në kërkim prej muajit korrik 2022 llogari të hetimeve pasi u kap bazë armësh në Tiranë dhe në të cilën është arrestuar edhe shoku i tij Kristjan Gjini.

Gjatë seancës ne gjykatën e Tiranës, Murati ka mohuar njohjen me Kristian Gjinin, ndërsa nuk ka dhënë shpjegime se si kishte përfunduar një gjurmë e gishtit të tij në një nga paketimet e armëve të gjetura në kryeqytet.

Pavarësisht pretendimeve të tij, gjykata ka vendosur masën "arrest në burg" për Muratin deri në përfundim të hetimeve.

Dy ditë më parë, Policia ka lënë të lirë Endrit Doklen dhe Gentjan Reçin, pas shoqërimit në kuadër të kontrolleve “blic” për kapjen e personave në kërkim.

Fatjon Murati u dyshua edhe si një nga personat e përfshirë në atentatin e trefishtë në Fushë-Krujë më 17 korrik.

Në atentat humbën jetën Diklen Vata, Besmir Hoxha dhe Brilant Martinaj, kushëri i Ervis Martinajt.

Mes emrave që kërkoheshin të pyeten nga prokuroria e Kurbinit për atë ngjarje ishin dhe Gentian Reçi, djali i ish-policit të vrarë Xhelal Reçi dhe Endrit Dokle, në lidhje krushqie me ish-policin e vrarë, si dhe Ramazan Rraja.

Dëshmia në polici pas arrestimit

Murati është marrë në pyetje por s’ka pranuar autorësinë e krimit. Në dëshminë që “Ora News” ka mundur të sigurojë Murati ka shpjeguar se:

“…armët nuk janë të miat dhe s’kam asnjë lidhje me to. Jam i paqartë se në çfarë rrethana është ndodhur gjurma ime e gishtit në një prej kutive, ku mbahej pistoleta, por jam i bindur se gjithçka është aksidentale. Unë kam njohje me të arrestuarin Kristjan Gjini, dhe para disa kohësh këtij personi ja kam marrë borxh makinën. Makinën në pjesën e pasme të saj, e kam pastruar duke hequr disa kuti letre, por pa e ditur se çfarë kishte brenda tyre. Besoj shumë, se ky ka qenë momenti ku mund të kem lënë shenjën e gishtit në kutinë e gjendur në banesën e Kristjan Gjinit…” - ka rrëfyer në polici Fatjon Murati.