Tentuan të korruptonin dëshmitarin e drejtësisë, SPAK çon për gjykim "Reqin e Korçës" dhe Ervis Kosovën
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka marrë si të pandehur dhe ka çuar për gjykim Elton alias Gentian Goskovën dhe Ervis Kosovën nën akuzën se kanë tentuar të manipulojnë dëshmitarin e drejtësisë Luftar Reçi.
"Hetimi i deritanishëm ka provuar se të pandehurit Gentian Goskova i njohur me pseudonimin (Reqi) dhe i pandehuri Ervis Kosova, në bashkëpunim mes tyre dhe me persona të tjerë, kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Korrupsioni aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit”, në formën e propozimit dhe premtimit të përfitimit të parregullt të dëshmitarit, për të siguruar nga ky i fundit deklarime të rreme (deklarime të marra në funksion të procedimit penal nr.252/2020), duke konsumuar në këtë mënyrë veprat penale të parashikuara nga nenet 312-25 i Kodit Penal," thuhet ne vendim.
SPAK, ka administruar një sërë provash si përgjime dhe fotografim të takimeve, që dy personat e akuzuar kanë kryer me individë të ndryshëm të familjes Reçi, me qëllim manipulimin e dëshmitarit të SPAK, Luftar Reçi, i cili ka treguar për dy ngjarje shumë të rënda, ku në muajin shkurt 2005 në Tiranë u vranë Vajdin Lamaj, Artan Arsi dhe në Durrës u ekzekutua, Klodian Saliu.
Reçi ka qenë dëshmitar në gjyqin ndaj Lul Berishës, Shullazit, Plaurent Dervishit, Viktor Imerit, Indrit Taullaut dhe indrit Rusit.

