Protesta në Elbasan, Boçi: Është shkelur ekonomia dhe dinjiteti ynë, vjedhje e hapur e qeverisë
Në protestën e zhvilluar sot në Elbasan nga simpatiantë tgë PD-së, të shumtë kanë qenë qytetarët që kanë shprehur pakënaqësi për ritjen e çmimeve në vend.
Në protestë prezent ka qenë edhe deputeti Luçiano Boçi i cili ka deklaruar se rritja e çmimit të karburanteve në vendin tonë është vjedhje e hapur e qeverisë.
Ai deklaroi se nuk ka asnjë paketë ndihme për të moshuarit, studentët e njerëzit në nevojë teksa theksoi se nëse në bursë çmimet bie gradualisht, në Shqipëri rriten menjëherë.
"Rritja e çmimit të karburanteve në një situatë të tillë është një vjedhje e hapur e qeverisë pasi bordi i famshëm është ankimuar në gjykatën kushtetuese dhe është antikushtetues.
Por shihet qartë që qeveria sa herë ka nevojë për para abuzive kërkon ti çojë tek xhepat e dikujt apo ti përdorë për veten e saj, luksin e saj, instalacionet, koncesione, PPP ua rrëmben qytetarëve përmes formave të fshehta. Një nga format është rritja e karburanteve.
Nuk ka paketa ndihme për të moshuarit, studentët, personat në nevojë edhe pse Shqipëria ka çmimet më të larta të karburanteve edhe pse është vendi më i varfër në rajon për nga paga mesatare dhe të ardhurat mesatare. Shqipëria 40% të popullsisë e ka që jeton me 5 dollarë në ditë.
Situata bëhet më revoltuese kur shikon që në bursë çmimet bien në mënyrë progresive ndërsa në Shqipëri ngrihen në mënyrë të menjëhershme
Nuk është rastësore. Qeveria ka nevojë të mbulojë grabitjet. Unë i bëj thirrje qytetarëve të na bashkohen pasi nuk ka më kohë për të humbur. Është shkelur ekonomia jonë dhe dinjiteti ynë.
Qytetarët duhet ta shprehin në forma konkrete, ne jemi të gatshëm si PD të jemi pranë tyre, t’i drejtojmë e mbrojmë ndaj abuzimeve që bëhen ndaj tyre, qoftë dhe nga ana policore.
Kishte forca të shumta e Shqiponja për të ulur shfaqjen e zemërimit që është sa i madh në tavolina dhe mbledhjet tona po kaq i madh dhe sot. Zemërimi nuk është vetëm bërtitje, por edhe votë e protestë”, tha ai.
