"Shpëton" mësuesia në Gjirokastër, në 9 degë regjistrohen 100 studentë
Ulja e notës mesatare për degët e mësuesisë nga 7.5 në 6.5 ka dhënë rezultatet e para këtë vit akademik. Pavarësisht se jemi vetëm në fazën e dytë të regjistrimeve për në Universitet, në 9 degët e mësuesisë në Gjirokastër ka pasur regjistrime që nuk rrezikojnë mbylljen e këtyre degëve.
Në 9 degët e mësuesisë në Universitetin e Gjirokastrës janë regjistruar rreth 100 studentë.
Pavarësisht se një degë ka mesatarisht 10 studentë të regjistruar deri më tani, drejtuesit e Universitetit thonë se ky është një sukses.
"Numri i të regjistruarve sidomos në degët e mësuesisë ka qenë relativisht i mirë krahasuar me vitine kaluar. Kjo për shkak se u hoq mesatarja nga 7.5 në 6.5," tha Zv.rektori i universitetit Jaho Canaj.
Ministria e Arsimit ka ulur mesataren për degët e mësuesisë nga 7.5 në 6.5, ndërsa zëvendësrektori Jaho Canaj thotë se për këto degë mesatarja duhet të hiqet.
"Pavarësisht se kjo mesatare është hequr unë mendoj se mesatarja për degët e mësuesisë duhet të ulet ose duhet të zerohet totalisht me qëllim që çdo të riu ti jepet mundësia për të vazhduar studimet e larta," tha ai.
Pavarësisht se në Universitetin Eqrem Çabej deri tani janë regjistruar 320 studentë, zëvendësrektori thotë se nga viti në vit është vërejtur një ulje shqetësuese e regjistrimeve.
"Numri i studentëve ka patur një tkurrje me gati 10 që ka ardhur si rezultat i shpopullimit masiv të rajonit të Gjirokastrës," tha ai.
Universiteti i Gjirokastrës ofron në ciklin e parë të studimeve 16 programe, prej të cilave 9 në mësuesi si dhe programet profesionale 1 apo 2 vjeçare.