Biden nën gjurmët e Trump, rregulla të forta për eksportet teknologjike në Kinë
Amerikanët e kanë në qendër të vëmendjes Kinën. Që me administratën Trump, ajo ka kaluar në prioritet amerikan si kundërshtar potencial në arenën ndërkombëtare. Së fundmi, Departamenti amerikan i Tregtisë ka njoftuar rregulla të reja të forta për eksportet teknologjike në Kinë.
Administrata amerikane e Bidenit, ngjashëm me atë të Trumpit, ka në fokus qendror Kinën. Këtë javë, Departamenti amerikan i Tregtisë vendosi kufizime të reja për eksportet e teknologjisë në Kinë.
Sanksionet amerikane përfshijnë gjysmëpërçuesit dhe superkompjuterët deri te sistemet e mbikëqyrjes dhe armët e avancuara.
Departamenti Amerikan i Tregtisë njoftoi një rregullore gjithëpërfshirëse që kufizon shitjen e gjysmëpërçuesve dhe pajisjeve për prodhimin e çipave për klientët kinezë.
Amerikanët kanë akuzuar shpeshherë kinezët për vjedhje të sekreteve tekonologjike, ndërsa po tentojnë që të kufizojnë aftësinë teknologjike të Kinës.
Vitin e shkuar, më 7 tetor 2021, drejtori i CIA-s, William Burns, e quajti Kinën "kërcënimin më të rëndësishëm gjeopolitik me të cilin përballemi në shekullin 21".
Fokusi amerikan është gara teknologjike, ndaj kanë vendosur rregulla të forta për industrinë e gjysmëpërçuesve, automjetet elektrike, hapësira ajrore dhe pajisjet e thjeshta si telefonat inteligjentë.
Dy vendet, sipas shumë analistëve dhe financierëve ndërkombëtarë, tani janë zyrtarisht në një luftë ekonomike. Gjiganti aziatik ka derdhur burime të mëdha në zhvillimin e aftësive superkompjuterike dhe kërkon të bëhet një lider botëror në inteligjencën artificiale deri në vitin 2030.
Ndërkohë, zyrtarët amerikanë thanë se kufizimet e reja janë të nevojshme për të ndaluar Kinën që të bëhet më shumë një kërcënim ekonomik dhe ushtarak.
