Çmimi prestigjoz për Merkelin
Ish-kancelarja gjermane Angela Merkel është nderuar nga UNCHR-ja për politikën e saj të ndjekur gjatë krizës së emigrantëve në Evropë në 2015-ën. Gjermania pranoi 1,2 milion azilkërkues që largoheshin nga lufta në Siri.
Ish-kancelarja gjermane Angela Merkel është nderuar këtë javë me një çmim prestigjoz nga UNCHR-ja për politikën e saj ndaj emigrantëve.
Në vitin 2015 dhe 2016, në dyert e Evropës, mbërritën shumë emigrantë dhe ish-kancelarja zgjodhi që Gjermania të mikpriste rreth 1,2 milionë.
Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Filippo Grandi i akordoi ish-kancelares çmimin duke i thënë se ajo demonstroi vizion dhe guxim me politikën e saj.
"Ju treguat një busull morale që jo vetëm udhëhoqi punën dhe veprimet e vendit tuaj, por tregoi rrugën për shumë prej nesh në Evropë dhe në botë", tha Grandi.
Në fjalimin e saj të pranimit, Merkeli foli edhe për kontributin e vendeve të tjera si Turqia, Libani dhe Jordania, që vazhdojnë të strehojnë një numër të madh refugjatësh sirianë, shumë prej të cilëve donin të qëndronin pranë vendit të tyre.
"Shpresoj se shembujt e mirë do të përhapen dhe uroj që më shumë njerëz në të ardhmen të ofrojnë strehim për njerëzit e tjerë në nevojë," tha ish-kancelarja. "Askush nuk e lë vendin e tij pa pasur një arsye të fortë."
Çmimin prej 150 mijë dollarësh, ish-kancelarja Angela Merkel tha se do ta dhuronte për organizatat në mbështetje të refugjatëve.
Siria është përfshirë nga një luftë civile prej 11 vjetësh, ku mijëra persona kanë humbur jetën, vendi është shkatërruar thuajse totalisht dhe me miliona të tjerë janë larguar nga Siria.