Paralajmërimi i OKB-së: Më shumë njerëz do të largohen nga Ukraina
Teksa sulmet ruse sëfundmi vijojnë të intesifikohen në Ukrainë, shumë njerëz do të detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre. Ky ka qenë paralajmërimi I Shefit të Kombeve të Bashkuara për refugjatët, i cili shprehet i shqetësuar për luftën në rritje dhe shpërnguljen masive të popullsisë.
Kombet e Bashkuara kanë dhënë paralajmërimin se më shumë njerëz do të detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre në Ukrainë pasi raketat ruse kanë rënë në Kiev dhe qytete të tjera.
Shefi i Kombeve të Bashkuara për refugjatët Filippo Grandi dha këtë paralajmërim teksa e ka quajtur sulmin e së hënës si të pafalshëm.
“Tmerri i asaj që ndodhi në Ukrainë... është i pafalshëm. Bombardimi i civilëve, i shtëpive..., i infrastrukturës joushtarake në një mënyrë pa dallim në shumë qytete anembanë Ukrainës, do të thotë se lufta po bëhet më e vështirë dhe më e vështirë për civilët. Kam frikë se ngjarjet e këtyre orëve të fundit do të provokojnë më shumë shpërngulje," tha ai.
Moska të hënën lëshoi valën më të madhe të sulmeve në të gjithë Ukrainën në muajt e fundit si hakmarrje për shpërthimin e fundjavë që dëmtoi urën kyçe që lidh Rusinë me gadishullin e Krimesë. Ura është një simbol i aneksimit të Krimesë nga Kremlini në vitin 2014.
Më shumë se 4.2 milionë ukrainas janë regjistruar për statusin e mbrojtjes së përkohshme në vendet e BE-së.
Që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës më 24 shkurt, më shumë se 7.6 milionë refugjatë ukrainas janë regjistruar në të gjithë Evropën.
Rreth shtatë milionë njerëz të tjerë janë zhvendosur gjithashtu brenda vendit të shkatërruar nga konflikti, sipas Organizatës Ndërkombëtare të OKB-së për Migracionin.