Shpërthen një nga vullkanet më aktivë në botë, shikoni videon
Një shpërthim i vullkanit Stromboli në brigjet pranë Siçilisë ka bërë që autoritetet të lëshojnë alarmin portokalli dhe të këshillojnë njerëzit të qëndrojnë në banesa. Rrjedhja e llavës ka krijuar degëzime deri në bregdet duke shkaktuar edhe lëkundje sizmike.
Stromboli, një nga vullkanet më aktive në brigjet jugore italiane, pranë Siçilisë, ka krijuar një situatë alarmante. Rrjedhja e llavës nga krateri po derdhet në det duke shkaktuar edhe valë sizmike, të regjistruara nga sistemi i paralajmërimit të cunamit. Mbrojtja civile italiane ka lëshuar alarmin portokalli dhe ka këshilluar njerëzit të qendrojnë brenda banesave të tyre. Autoritetet në ishull thanë se ishin të përgatitur për një shpërthim të madh.
"Ne jemi absolutisht të përgatitur," tha kryetari i bashkisë së Liparit Riccardo Gullo, duke shtuar se kishte "rreth 600 njerëz në ishull, duke përfshirë banorë dhe turistë", por se aktualisht nuk ka arsye për shqetësim në zonat e banuara.
Një video e publikuar nga Instituti Kombëtar Italian i Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë tregon shtëllunga të mëdha tymi teksa llava rrëzoi njërën anë të vullkanit. Instituti tha se një shpërthim i parë i madh u regjistrua më 29 shtator, përpara "se aktiviteti vullkanik të kulmonte me një vërshim të bollshëm llave" nga krateri verior, i cili u degëzua në rrjedha të shumta llave që shtriheshin në bregdet.
Deri më tani, fatmirësisht nuk raportohet për viktima. Vullkani Stromboli është një nga më aktivët në planet dhe ka shpërthyer pothuajse vazhdimisht për 90 vitet e fundit. Në vitin 2019, një turist humbi jetën pas një shpërthim të fuqishëm që mbuloi ishullin me hi.
The Italian volcano Stromboli erupted, unleashing plumes of smoke and lava ???? pic.twitter.com/ICNIMS2CuV
— Reuters (@Reuters) October 9, 2022