Dogji hixhabin, videot tregojnë një adoleshente duke protestuar para vdekjes

Një grup i madh protestuesish kanë qenë pjesë e protestave të ndezura nga vdekja e Mahsa Amini, një gruaje 22-vjeçare e cila u arrestua nga policia e moralit për shkeljen e dyshuar të ligjit të rreptë të hixhabit, ligj i Republikës Islamike.

Videot e postuara në internet tregojnë një adoleshente iraniane duke protestuar disa orë para vdekjes së saj.

Nika Shakarami, 16 vjeç, shihet duke qëndruar në një kosh dhe duke djegur hixhabin e saj në Teheran më 20 shtator, ndërsa të tjerët brohorasin parulla kundër Republikës Islamike.

Më vonë ajo u zhduk pasi i tha një shoku se po ndiqej nga policia.

Zonja Shakarami ka akuzuar forcat e sigurisë për vrasjen e vajzës së saj, por zyrtarët kanë thënë se ajo vdiq pasi u hodh nga një ndërtesë që ishte në ndërtim e sipër.

Javën e kaluar, televizioni shtetëror iranian transmetoi pamje të paqarta që tregonin një vajzë adoleshente të cilën e identifikoi si Nika duke ecur nëpër një rrugicë dhe duke hyrë në një ndërtesë nga një derë.

Por zonja Shakarami i tha BBC Persian të hënën se personi në video nuk ishte vajza e saj. Një burim tjetër pranë familjes tha gjithashtu se vajza nuk ecte si Nika.

KËTU LAJMET MINUTË PAS MINUTE

Zonja Shakarami pretendoi gjithashtu se motra e saj Atash dhe vëllai Mohsen ishin detyruar të bënin deklarata të rreme në lidhje me vdekjen e Nikës ndërsa ishin në paraburgim.

Familja e Nikës ka thënë se e gjetën trupin e saj në morg 10 ditë pasi ajo u zhduk dhe se zyrtarët u lejuan ta shihnin fytyrën e saj vetëm për disa sekonda për ta identifikuar. Atash ka thënë gjithashtu se Garda Revolucionare i tha asaj se Nika ishte në paraburgim për pesë ditë dhe më pas iu dorëzua autoriteteve të burgut.

Një nga videot tregon një vajzë të veshur me të zeza duke qëndruar në një kosh në një rrugë dhe duke tundur një shami të djegur. Një turmë rreth saj dëgjohet duke brohoritur "vdekje diktatorit" - një referencë për liderin suprem, Ayatollah Ali Khamenei, i cili ka fjalën e fundit për të gjitha çështjet shtetërore. Një video tjetër tregon të njëjtën skenë nga një kënd tjetër.

"Ashtu si Nika, unë kam qenë kundër hixhabit të detyrueshëm që kur isha fëmijë. Por brezi im nuk ishte aq i guximshëm për të protestuar," tha zonja Shakarami.

"Njerëzit e moshës sime pranuan vite të tëra shtypjeje, nënshtrimi dhe poshtërimi, por vajza ime protestoi dhe ajo kishte çdo të drejtë ta bënte këtë."

Nika nuk është e vetmja protestuese e re që është vrarë gjatë trazirave.

Familja e Hadis Najafit, 22 vjeç, ka thënë se ajo u qëllua për vdekje nga forcat e sigurisë ndërsa po protestonte në qytetin Karaj, në perëndim të Teheranit, më 21 shtator.

Një tjetër vajzë 16-vjeçare, Sarina Esmailzadeh, dyshohet se vdiq pasi u rrah rëndë në kokë me shkopinj nga forcat e sigurisë gjatë protestave në Karaj më 23 shtator, sipas Amnesty International.

Të hënën, Shoqata Iraniane për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve raportoi se gjithsej 28 fëmijë ishin vrarë gjatë protestave.

Shumë fëmijë të tjerë ishin arrestuar dhe po mbaheshin në qendrat e paraburgimit.