Berisha me gratë: Do ringjallim qytetet, jemi parti e ndryshuar, por nuk mjafton për të fituar
Sali Berisha ka nisur tryezat për organizimin e zgjedhjeve vendore dhe propozimin e kandidaturave.
Gjatë bisedës me gratë ai theksoi se shqiptarët presin ndryshimin, por se ndryshimet në PD ende nuk janë të mjaftueshme.
“Kemi shënuar arritje për tu paraqitur parti e ndryshuar para shqiptarëve. Por nuk mjaftojnë për të fituar ne.”
Duke iu referuar sondazheve ai kërkoi me shumë gra në listën e kandidatëve.
“Ju ftoj ju me kurajë që të kandidoni për qytetare të para për bashkitë e vendit.”
Duke akuzuar Ramën jo vetëm për afera korruptive por edhe model diktatorial të qeverisjes, ai shtoi se qëllimisht mazhoranca po largon të rinjtë nga vendi.
“Kjo politike shpopullimi nuk ka dëshirë lëvizjen e lirë, por ka në bazë politika te papërshtatshme.”
Në tryezë Berisha u shpreh se do punohet jo vetëm për kthimin e të rinjve por edhe rigjallërimin e qyteteve.
“Do të bëjmë çdo gjë t’i japim fund kësaj hemorragjie. Do të merremi intensivisht për rigjallërimin e qyteteve.”
Sipas Berishës tashmë edhe në Evropë po rikthehet në qeveri e djathta.
E për këtë iu referua votimeve në Itali dhe në Suedi, ku kryeministrja e re Xhorxhia Meloni i dërgoi mesazh përshëndetje, ndërsa Suedia u përfaqësua me deputet në tryezën e kësaj të diele.
