Lazaratasit mirëpresin Berishën: Mirëserdhe në shtëpinë tënde! I ankohen: Rama me Tahirin na dogji, na çoi burrat në burg

Kryetari i PD-së Sali Berisha u prit me entuziazëm dhe me thirrjet “Rama ik” në Lazarat.

Sheshi ishte mbushur me flamujt e PD-së dhe shumë banorë e fëmijë ishin mbledhur për ti uruar mirëseardhjen.

“Mirëseerdhe në shtëpinë tënde” e uruan banorët ndërsa kujtuan aksionin e ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri

"Vuajtet e këtij fshati i di unë. Ka vuajtur 12 vjet për bukën e gojës. Na u sul policia e Saimir Tahirit që sot dergjet burgjeve, se Lazarati ka lindur dhe do të jetë tërë jetën demokrat" i tha kryeplaku i fshatit

”Atë që i ka bërë Edi Rama Lazaratit ia bëri Napolon Zerba në Çamëri. Edi Rama na mbylli shtëpitë. Fëmijët i kam në emigrim në Europë” tha një banor tjetër.

“U fut me mitralozë e tanke për një fshat. Krime të tmerrshme janë bërë por drejtësia do të vijë një ditë. 

“E ndezën Lazaratin flakë e ne si njerëz të urtë dhe atdhedashës nuk u përgjigjëm në atë mënyrë sic u përgjigjen ata. Lazarati u dënua me 500 vjet burg e ne prapë u duruam.

"Me këtë sekt që kemi në pushtet jemi në gjak. Nuk ia jep kush votën këtij" thanë banorë të tjerë të Lazaratit.

Nga ana e tij kryetari i PD-së i bëri thirrje qytetarëve të angazhohen politikisht për të rrëzuar Ramën.

"Unë kam ardhur këtu te ju, për t’u zotuar përpara jush, se me deputetin tuaj, me Dasho Alikon, i cili në një moment kritik kur regjimi u vërsul me egërsi ndaj jush, qëndroi me ju dhe nuk u mposht. Kam ardhur këtu për t’u zotuar se potencialet tuaja do kenë prosperitetin që meritojnë. Këtë regjim ta përzëmë sa më shpejt dhe të vendosim demokracinë në Shqipërinë. "I them Edi Ramës se nuk ka asnjë forcë ta shpërbëjë Lazaratin. Këtë u përpoq ta bëjë diktatura më e egër dhe ata përfunduan në koshat e historisë dhe Lazarati mbeti bastion i lirisë"