Uji dhe kanalizimet “fundosin” Shqipërinë, performancë e dobët edhe në lirinë personale dhe zgjedhjen
Cilësia e ujit dhe kanalizimet kanë bërë që Shqipëria të rendit ndër vendet e fundit të Botës. Po ashtu, në Indeksin e Progresit Social, vendi ynë paraqet problematika të mëdha edhe sa i përket lirisë personale dhe zgjedhjes.
Një tjetër raport negativ për Shqipërinë, kësaj radhe në Indeksin e Progresit Social.
Sipas indeksit në fjalë, vendi ynë renditet mes vendeve të fundit sa i përket Lirisë Personale dhe Zgjedhjes.
Po ashtu tejet shqetësuese paraqitet dhe situata me cilësinë e ujit dhe kanalizimet, ku vendi ynë renditet përkatësisht në vendin e 132 dhe 103 nga 169 vende të marra në studim.
Indeksi i Progresit Social është një indeks i përbërë i treguesve socialë dhe ambientalistë që mat tre dimensione të progresit social: Nevojat bazë njerëzore, bazat e mirëqenies dhe mundësitë.
Në Indeksin e Progresit Social 2022, Shqipëria përmirësohet me 3 vende, duke u ngjitur në vendin e 53 nga 169 shtete.
Nga të gjithë komponentët, Shqipëria është vlerësuar me më shumë pikë te siguria personale, duke u renditur në vendin e 31 në botë.
Performancë të mirë ka edhe sa i përket ushqyerjes dhe kujdesit bazë mjekësor, aksesit në njohuritë bazë, të drejtat personale, aksesit në informacion dhe komunikim, shëndetit dhe mirëqenies, strehimit, përshirjes dhe cilësisë së mjedisit.
Shqipëria renditet lart në nënkomponentët për barazinë gjinore në arritjet dytësore, qasjen e energjisë elektrike dhe lirinë e lëvizjes së brendshme.
Ashtu si në disa vitet e mëparshme, është Norvegjia ajo që kryeson në krye të listës të SPI.
Në vendin e dytë është Danimarka, e treta Finlanda, Zvicra e katërta dhe më pas Islanda në vendin e 5-të.