Spiunët në politikë, transparencë jo ndalim. Bushka: Do t’i detyrojmë të vetëdeklarojnë
Strasburgu dhe vendimet e Kushtetueses nuk e lejojnë PS që të miratojnë një ligj që i ndalon bashkepunëtorët e sigurimit të mos jenë më pjesë e politikës. Për këtë arsye ata kanë zgjedhur një plan tjetër që të detyrojnë politikanët të deklarojnë lidhjet me sistemin komunist dhe në rast se nuk të thonë të vërtetën atëherë do të ketë penalizime administrative dhe penale.
Ndryshe nga sa e kishte parashikuar në nisje të objektivit të saj për të larguar me ligj spiunët nga politika, Partia Socialistë po merr më shumë kohë që të sjellë një Kuvend një draft që të mos bie ndesh me Kushtetutën. Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka shprehet se gjatë shkrimit të këtij dokumenti po parashikohen të gjitha pengesat e mundshme që mund ta bëjnë ligjin të pazbatueshëm.
Klotilda Bushka: "Ne kemi modele shumë të mira, në Poloni, në Gjermani, ato jemi duke parë dhe i gjithë shqetësimi ynë është që ne të bëjmë një propozim i cili t'i kalojë edhe filtrat kushtetues, edhe filtrat e Strasburgut, në mënyrë që të ketë efektivitet."
Koha e marrë në dispozicion i ka dhënë mundësi mazhorancës të reflektojë në qëndrim, pasi vetëdija ligjore që nuk i ndalon dot spiunët të largohen nga politika, i ka detyruar socialistët të sjellin një format tjetër, një kopje të dekriminalizimit.
Klotilda Bushka: "Mjetet kryesore do të jenë ato të parandalimit, të cilat, duke ia lënë barrën e vetëdeklarimit subjektit, i cili e di që nëse nuk thotë të vërtetën, do të penalizohet, qoftë me sanksione administrative, qoftë me sanksione penale, për të bërë një transparencë të plotë."
Pavarësisht objektivit politik të të majtës, propozimet si ato që kanë të bëjnë me ndryshime në Kodin Zgjedhor apo në ligjin për partitë politike, do të duhet të diksutohen në komisionin e Reformës Zgjedhore, ku bashkëdrejtuesi socialist Damian Gjiknuri mendon që është e pamundur të largohen bashkëpunëtorët e ish-sigurimit për shkak të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
