"Të shtohen 33 bashki! "Alibeaj pas takimit me Ambasadorët: Dorëzuam ofertën tonë brenda afateve
Një përfaqësi deputetësh mbështetës të Enkelejd Alibeaj u takua me dyer të mbyllura me ndërkombëtarët duke prezantuar propozimin prej 94 bashkish që ky grupim dorëzoi në Kuvend. Pas mbledhjes Alibeaj nënvizoi se konsultimi me partnerët është detyrim politik, ndërsa më herët Dhurata Çupi tha se propozimi opozitar parashikon shtimin e 33 bashkive.
Drafti i propozuar nga deputetët e rreshtuar në krah të Alibeajt për reformën territoriale duket se ka edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve.
Në kryesinë e Kuvendit për rreth 1 orë e 30 minuta një përfaqësi prej 7 deputetësh të PD kanë pritur ambasadoren amerikane Yuri Kim, ambasadorët e BE, OSBE dhe gjashtë diplomatë të tjerë europianë në vendin tonë.
Takimi bëhet me dije se u zhvillua në kuadër të situatës aktuale politike dhe propozimeve reformatore që ky grupim i ka dorëzuar Kuvendit.
Pas takimit me dyer të mbyllura deputeti Enkelejd Alibeaj u shpreh se konsultimi me partnerët ndërkombëtarë zë një rol të rëndësishëm në vendimmarrje.
Alibeaj: Objekt i takimit ishin ato reforma që ne i kemi filluar në kuvend, ajo territoriale, zgjedhore dhe të tjera. Kemi sqaruar dhe kemi shkëmbyer vizione dhe takimet do të vazhdojnë. Kjo është një rutinë dhe duhet ta instalojmë për këto reforma që janë të rëndësishme për integrimin evropian.
Ne kemi pasur detyrimin tonë dhe kemi përfunduar të gjithë atë që është oferta jonë për ndryshimin e reformës territoriale dhe që është në shërbim të qytetarëve shqiptarë. Kjo ishte ajo që bëmë në përfundim të këtij afati. Ne kemi pasur konsultime me ndërkombëtarët. Partnerët ndërkombëtarë për reforma të rëndësishme lënë hapësirën për tu njohur dhe për të bërë vlerësimet e tyre.
Tre orë para diskutimeve me diplomatët deputetja Dhurata Çupi dhe Andia Ulliri dorëzuan në Kuvend propozimin e njërës palë të demokratëve, ku kërkohet shtimi me 33 bashki, më shumë se numri aktual i tyre, 94 bashki dhe 12 qarqe.
Çupi: Uroj ti thërrasin arsyes dhe logjikës dhe interesave të qytetarëve shqiptarë deputetët e PS, dhe të miratojmë një reformë për qytetarët.
Edhe në këtë drejtim Partia Demokratike nuk ka arritur të gjejë një gjuhë të përbashkët.
Kreu i PD në mbledhjen e grupit parlamentar 1 orë më vonë ka kërkuar që drafti i reformës territorialë të dakordësohet mes të gjitha partive opozitare.
