SPAK nuk heq dorë, ankimon vendimin që shpalli të pafajshëm anëtaren e KPK-së, Etleda Çiftja

Prokuroria e Posaçme, SPAK, ka ankimuar vendimin e Gjykatës së Posaçme të datës 16 shtator 2022 që shpalli të pafajshme anëtaren e KPK-së Etleda Çiftja.

SPAK kërkon që gjyqtarja të shpallet e fajtore për akuzën e falsifikimit të dokumenteve dhe të fshehjes së pasurisë. 

Në gjykatën e Posaçme prokuroria kërkoi shpalljen e saj fajtore për dy akuzat, deklarim të rreme të pasurisë dhe falsifikim të dokumentave në formë përdorimi, si dhe dënimin e saj me 1 vit burg të konvertuar ne 2 vjet shërbim prove. Por ndryshe nga ky pretendim gjykata nuk e gjeti të fajshme Çiften me argumentin se fakti penal nuk ekziston dhe u shpreh se duhet të ishte prokuroria që duhet të kerkonte pushimin e çështjes që në seancë paraprake.

Ne vendimin përfundimtar të gjyqtarit Erion Bani pranohej fakti i kryerjes së veprimeve fiktive nga Çiftja, por, sipas gjykatës, në ndryshimin e shifrës së vlerës së një sipërfaqe trualli, është bërë në marrëveshje mes palëve kontraktore.

Pas shpalljes së vendimit, 16 shtator 2022, Çiftja tha se kishte 1 vit që ishte nën presion të vazhdueshëm dhe qëllimi i sulmit nuk ishte ajo por vetingu.

Tani duket që beteja ligjore do vijojë në Gjykatën e Posaçme të Apelit.