KQZ vetëofrohet për Zgjedhoren, Celibashi propozon ndryshime për financimet në fushatë dhe administrimin zgjedhor

Ndërsa ndërkombëtarët kanë ngritur alarmin për financimet e huaja te partitë politike në Shqipëri, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi i ka propozuar Komisionit të Posaçëm disa ndryshime ligjore që kanë të bëjnë me transparencën e parave që përdoren në fushatën zgjedhore.

Sipas drejtuesit të KQZ-së, për zgjedhjet e ardhshme vendore është e pamjaftueshme koha që të bëhen ndryshime themelore për financimet por sugjeron që për momentin Komisioni i Posaçëm i Reformës të rekomandojë partitë politike.

"Të përcaktohen rregulla për pasqyrimin e fushatës zgjedhore në median në internet (online), në rrjetet sociale dhe në median e shkruar. Të përcaktohen rregulla në lidhje me financimin dhe fushatën e subjekteve të identifikuara si “palë të treta".

Depolitizimi i plotë i komisioneve të votimit dhe numërimit ende nuk është një çështje e dakordësuar mes palëve për shkak të paragjykimit të opozitës për administratën si vegël e qeverisë.

Duke marrë shkas nga kjo, kryekomisioneri propozon përmirësimin e administrimit të këtyre strukturave.

"Qëllimi është që të paktën në aspektin formalo-teknik të kemi një administrim më të mirë të procesit zgjedhor nga komisionet e niveleve të dyta dhe të treta. Përmirësimet që ne nxisim në lidhje me këtë aspekt, jo domosdoshmërisht ato duhet, apo mund t’i zhveshin partitë nga të drejtat që ato kanë sot në administrimin e zgjedhjeve, përfshi këtu edhe të drejtën për vendim-marrjen nga përfaqësuesit e tyre në këto komisione."

Në letrën drejtuar Kuvendit, Celibashi shprehet se monitorimi i përdorimit të aseteve publike dhe fushata nga funksionarët publikë për zgjedhjet e ardhshme vendore është një proces i pamundur për KQZ.

Për këtë arsye i kërkon PS-së dhe PD-së të përcaktojnë qartë se çfarë duhet të jetë e ndaluar për funksionarët publikë si dhe të caktohen mekanizmat për verifikimin nga KQZ.