Rama, lëmoshë pedagogëve: Javën tjetër ua rrisim pagën me 7 %
Kryeministri refuzon të ulet në tryezë me pedagogët për gjetjen e një zgjidhjeje lidhur me kërkesat e tyre të artikuluara këtë të mërkurë në sheshin nënë tereza. I Vetmi reflektim i Edi Ramës nga protesta e pedagogëve është rritja e rrogës me 7 përqind, shifër kjo shumë larg nga ajo që u kërkua në protestë.
Ndërkohë që pedagogët ishin duke protestuar për rritjen të pagave, Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur nga takimi që zhvilloi në Universitetin Bujqësor të Tiranës.
Ndërsa profesorët kërkuan rishikimin e të ardhurave deri në gjysmën e rrogës aktuale, Rama deklaroi se të mërkurën e javës së ardhshme shtesa për ta do të jetë vetëm 7 për qind.
"Ne do bëjmë një rritje pagash të mërkurën prej 7%, por ama do ti njohim universitetit të drejtën të një tavani për të rritur më tej pagat sipas vendimmarrjes së vet”, tha Rama.
Edhe një herë kreu i qeverisë refuzoi protestën teksa nënvizoi se akademikët duhet të përfshihen në skemën e vetëmenaxhimit të universiteteve.
"Edhe njëherë u them pedagogove, ju nuk jeni infermierë, as mësues gjimnazi as mësues 9 vjeçareje, nuk jeni as mjekë, as infermierë në shërbimin shëndetësor publik.
Nuk jeni as punonjës policie, nuk jeni as ushtarak, as nëpunës civil, pensionistë jo e jo. Të gjithë këto marrin një pagë ose pension fiks. Jemi duke hedhur paga falë angazhimit të pedagogëve, rektorëve, dekanëve," tha ai.
Deklarata e Ramës duket se nuk ka qetësuar protestën, ndërsa ende nuk ështe e qartë nëse në datën 17 tetor studentët do të arrijnë të ulen në auditore.