"Refuzojnë periferinë", banorët e 5 pallateve në Durrës kundër bashkisë
Rindërtimi në vendin tonë vijon të shkaktojë jo vetëm debat, sa i përket mënyrës së shpenzimit të parave, por edhe pakënaqësi tek banorët. Në Durrës, qytetarët shprehen të pakënaqur sa u përket lëvizjes nga lagjet e tyre në periferinë e qytetit ku po ndërtohet lagjja e re.
Banorët e 5 pallateve të lagjes numër 5 të Durrësit kanë protestuar përpara Bashkisë, paraditen e së mërkurës.
Protesta e dytë e këtyre banorëve vjen si kundërshti për transferimin në periferi të qytetit, në zonën e Spitallës, zonë kjo ku po ndërtohet lagjja e re.
"Po trajtohemi me dy standarde. Gjysma po ndërtohen këtu ku janë, kurse ne jemi ato që duhet të na çojnë në Porto Romano. Bashkia bashkë me kryeministrin po bëjnë kompesimin me dy standarde," tha një banor.
Mbi 100 familje do të transferohen në periferi pasi pallatet e tyre u shpallën të pabanueshme, ndërsa ata e kundërshtojnë këtë vendim duke thënë se ndërtimi i pallateve të bëhet në truallin e vjetër.
"Ne duam të qëndrojmë aty ku jemi. Në lagjen tonë. Bashkia më duket se po luan me dy standarde. Këtë nuk e dimë se përse, ne jemi të vendosur: Nuk do të lëvizim nga ky shesh, jo vetëm sot, por dhe në ditët në vazhdim.
Kemi bërë kërkesë të takojmë edhe kryebashkiakun e Durrësit dhe deri tani, në 10 ditë nuk na ka njoftuar. Sikur ne do të hamë kryetarin e Bashkisë. Të paktën të na japin një përgjigje zyrtare," thonë ata.
Banorët thonë se bashkia ka refuzuar që të negociojë me to, dhe në këto kushte, ata kanë deklaruar se do të vazhdojnë protestat deri në zgjidhjen e situatës.