Qeveria pezullon vendimin e ERE, fasha 800 KW në Fletore Zyrtare, Balluku: Çmimi në dorë të qeverisë
Vendimi i Entit Rregullator energjitik është botuar në fletoren zyrtare duke u bërë i zbatueshëm, ndërsa qeveria lajmëron që gjatë tetorit konsumatorët familjarë që kalojnë 800 kW nuk do të faturohen me çmimin e ri. Në kuadër të krizës energjitike, Qeveria ka vendosur që të gjithë institucionet shtetërore të kursejnë rreth 15% të energjisë duke e krahasuar me një vit më parë. Nëse kursimi nuk arrihet brenda 2 muajve, drejtuesit e institucioneve do të gjobiten me 50 mijë lekë.
Vendimi i Entit Rregullator të Energjisë për rritjen e çmimit për fashën mbi 800kë është botuar në fletoren zyrtare pavarësisht deklaratave të kryeministrit për anulimin e vendimit.
Referuar këtij vendimi, kjo fashë teorikisht ka filluar zbatimin që prej 1 tetorit dhe do të vijojë deri më 31 dhjetor 2022. Për paqartësitë që shoqëruan këtë vendimmarrje, zv. kryeministrja Belinda Balluku tha se qeveria e ka në dorë nëse do të aplikohet çmimi i rritur i energjisë për fashën mbi 800 kW.
Balluku siguroi se për gjithë tetorin nuk do të ketë rritje çmimi për familjet që kalojnë 800 kW për këtë muaj
“Duam ta sqarojmë por është pak komplekse. Fasha 800 kilovat, ERE shprehet për miratimin e çmimit. Ne i kemi bërë kërkesën ERE-s, dhe ERE ka thënë se çmimi miratohet ky është detyra e ERE. Por kur qeveria shikon se qytetarët reflektojnë por edhe për kushtet e motit përmirësohen. Nuk e aplikojmë fashën gjatë muajit tetor. ERE ka marrë vendimin e kësaj fashe. Por qeveria po mbron biznesin e vogël dhe familjet.”
Në kuadër të krizës energjitike Qeveria ka vendosur që të gjithë institucionet shtetërore të kursejnë 15% të energjisë, krahasuar me një vit më parë.
Çdo institucion do të ketë një administrator për energjinë dhe nëse për 2 muaj nuk do të arrihet ky tregues, drejtuesit do të gjobiten me 50 mijë lekë.
“Përmes këtij projekt akti kemi vendosur një kërkesë për të gjitha institucionet shtetërore që duhet të kursejnë 15% të energjisë së konsumuar me faturën e një viti më parë. Kjo është ekuivalente në para e barasvlershme me 3.4 miliardë lekë. Do të emërojmë administrator energjetik nga titullari i institucionit dhe do të ketë target uljen e konsumit të energjisë për ndërmarrjen që përfaqëson. Parashikohen edhe masat nëse për 2 muaj nuk arrihet targeti nga institucioni. Masa shkon deri në 50 mijë lekë gjobë për drejtuesin e institucionit, administratorin apo përgjegjësin e emëruar”.
Ky vendim vjen pas shtyrjes së aplikimit të fashës 800 kWh.
Kryeministri Edi Rama ka thënë se gjatë muajit tetor fasha nuk u aplikua pasi ka pasur kursim nga konsumatorët familjarë si dhe prurjet nga reshjet kanë përmirësuar situatën energjitike.
