“Zhduken” gjurmët e Ahmetajt, Gjiknuri prezanton Klosin në Vlorë: Marrim role për fushatën
Nga kjo e martë, Arben Ahmetaj i përket vetëm historisë së qeverisjes dhe Partisë Socialiste. Blendi Klosi u prezantua si drejtues politik i qarkut Vlorë, lëvizje që sipas Damian Gjiknurit është normale para fushatës, kur secili merr pozicionin e tij si lojtar.
Blendi Klosi u prezantua si drejtues politik i Partisë Socialiste në Qarkun e Vlorës në vend të Arben Ahmetajt, tashmë i përjashtuar nga çdo post në parti dhe qeverisjen e të majtëve.
Gjiknuri: Për këtë është përgjigjur edhe Kryeministri. Këto janë lëvizje normale përpara para fushatave zgjedhore, ku secili merr pozicionin e tij si lojtar, që ekipi të japë maksimumin. Ahmetaj është lajmëruar për takimin e sotëm por mesa di ka qenë i angazhuar me punë.
Ndërsa shmangu përgjigjen për fatin politik të Ahmetaj, sekretari i Përgjithshëm i PS-së, theksoi besimin e partisë tek Klosi.
Gjiknuri: Besoj se do të vazhdojë punët e mira të nisura për sa i përket mirëmenaxhimit dhe mirëorganizimit politik të këtij qarku.
Veç Arben Ahmetajt, mungonte edhe kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, i cili është i damkosur publikisht nga Partia Socialiste dhe kryeministri Edi Rama.
Klosi: Shumë shpejt do të fillojmë procedurat për vlerësimin e të gjithë kryetarëve tanë në të 61 bashkitë e vendit, ku nuk do të jetë struktura e partisë që do të bëjë vlerësimin por do të jetë ajo çfarë kanë dhënë për qytetet që kanë drejtuar dhe sesi qytetet kanë mirëpritur ose jo drejtuesit e mandatuar nga Partia Socialiste.
Blendi Klosi ka qenë drejtues politik në Vlorë edhe në vitet 2007-2009.
