Sulmi kibernetik, Semanaj: Hakerat do të na "përndjekin" për 30 vjet!

Qeveria ka deklaruar se sulmet e hakerave nuk kanë cënuar sigurinë kombëtare dhe nuk kanë depërtuar në sistemet e rëndësishme shtetërore, por eskpertët nuk mendojnë kështu.

Gjatë një bisede në Ora News, inxhinieri i lartë i teknologjisë së informacionit Besmir Semanaj, tha se të dhënat e siguruara nga hakerat mund t'i rrezikojnë qytetarët për 30 vitet e ardhshme. Sipas tij, informacionet që kanë dalë janë të mjaftueshme për të vepruar financiarisht në emër të çdo qytetari në vendet "Offshore".

 "Të dhënat që kanë dalë do të na ndjekin gjatë gjithë jetës. Mund të goditemi edhe pas 30 vitesh thjesht nga të dhënat që sot për sot kemi online. Ose nesër, pasnesër do të shohim se është hapur një account në Offshore që rezulton në emrin tonë, është hapur një llogari në një kompani bastesh e cila luan dhe pastron para."

Inxhinieri i lartë i teknologjisë së informacionit Besmir Semanaj thotë se qytetarët dhe shoqëria shqiptare janë të rrezikuar dhe të dëmtuar rëndë nga sulmi kibernetik.

Gjatë një një interviste në TVOra News, ai nënvizoi faktin se sulmi nuk u zbulua, por u bë publik vetëm pasi hakerat vendosën të shfaqen vetë.

"Hakerat nuk ishin zbuluar nga institucionet e shtetit shqiptar, hakerat vendosën të zbulohen, të dalin publikisht dhe të nisin shkatërrimin e sistemeve."

KËTU LAJMET MINUTË PAS MINUTE

Ky akses i gjatë i autorëve të sulmit në databazën e shtetit shqiptar, sipas Semanajt vë në pikëpyetje krejt sistemin, i cili duhet të auditohet mirë para se të rivendoset në punë, ndryshe nga se çfarë shprehet qeveria.

"Duke qenë se këto kanë qenë në sisteme për një kohë të gjatë, kanë pasur mundësinë dhe kohën e mjaftueshme për të lundruar në mënyrë horizontale, jo thjesht në sistemet e aksit dhe e-albania, por nga aty, iu është dhënë mundësia që ta kalojnë dhe në sisteme të tjera, pra duke përfshirë Policinë e Shtetit që tashmë është e konfirmuar."

Sipas Semanajt, menaxhimi i fazës aktuale pas sulmit duhet bërë me kujdes, pasi ka dyshime se servera ende të infektuar janë vendosur në punë nga Shqipëria duke rrezikuar Kosovën.

"Sistemi i cili është ruajtur në një vend tjetër që në një rast rreziku të kthehet, mund të jetë dhe besoj se është i virusuar. U konfirmua se serverat e infrastrukturës shtetërore shqiptare po sulmojnë Kosovën sot e kësaj dite."

Eksperti i IT thotë se qëllimi i hakerave është destabiliteti, dhe sipas tij këtë rol po luajnë për fat të keq edhe institucionet shqiptare me deklaratat e tyre kontradiktore.

"Nga njëra anë, kemi kryeministrin, ministrin e rajonit, zëvëndëskryeministren, drejtoreshën e aksit, që thonë se asnjë informacion i rëndësishëm sensitiv nuk ka dalë - gjë që kuptohet që ka dalë - dhe nga ana tjetër kemi policinë e shtetit dhe prokurorinë që thoë se shpërndarja dhe bërja lajm e këtyre informacioneve dënohet, sepse informacionet të cilat kanë dalë cenojnë sigurinë personale dhe sigurinë kombëtare."

Duke e vlerësuar situatën të rrezikshme, eksperti Semanaj kërkoi që dikush të mbajë përgjegjësi për rrjedhjen e të dhënave të gjithë shtetasve shqiptarë.

"Nuk kemi një person, i cili të paktën, minimalisht, ka marrë një përgjegjësi morale. Është thjesht mburrje, tregim se sa të aftë janë dhe se si lanë Microsoft me aftësitë e tyre pa gojë, dhe e vetmja gjë që ka ngelur është që drejtuesit e këtyre institucioneve të dekorohen nga presidenti."