"Porositësi": "50 - 150 mijë euro pagesa" Dy vëllezërit Indrit dhe Gentian Beqiraj vrasës me pagesë
Dy vëllezërit Indrit dhe Gentian Beqiraj ishin "rekrutuar' si vrasës me pagesë për atentatin e ndodhur më 4 janar 2022 në "Don Bosko" në Tiranë.
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës Drejtues i Parë Skënder Hita doli sot në deklaratë për mediat, për finalizimin e operacionit policor të koduar “Porositësi” ku u arrestuan 14 persona mes tyre dhe dy vëllezërit Beqiraj. Ndërkohë janë në kërkim 5 persona.
Sipas policisë dy vëllezërit ishin rekrutuar si "vrasës me pagesë" nga Kasandër Noga kundrejt pagesave nga 50 mijë deri 150 mijë euro. Një prej tyre ishte dhe atentati tek "Don Bosko" ku objektiv ishin daja dhe nipërit e tij si dhe për vrasjen e Arben Merkurit, ndodhur në maj 2022 në Sukth
Filimisht dy vëllezërve u është dhënë në dorë 6 mijë euro dhe ata kanë siguruar kushtet e nevojshme për kryerjen e vrasjes se shtetasit dhe të nipërve të tij. Ata kanë siguruar si armë zjarri, automjet, motoçikletë, si dhe kanë marrë me qira një banesë, në afërsi të objektivit.
Pavarësisht porosisë dhe planifikimit, vëllezërit nuk kanë kryer veprime aktive në këtë ngjarje. Autori i kësaj ngjarjeje dyshohet të jetë shtetasi Kevi Zeneli, i cili pas ngjarjes është ndihmuar nga dy vëllezërit, për t’u larguar jashtë shtetit.
"Në vijim të hetimeve të thelluara, të nisura më parë nga Policia e Durrësit, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka rezultuar se personat e arrestuar, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vepruar në formën e një grupi të strukturuar kriminal, nga viti 2021 dhe në vazhdim.
Shtetasit G. B. dhe I. B., në periudha të ndryshme kohore, janë kontaktuar nga shtetasit K. Z. alias K. S. dhe I. F., për llogari të shtetasit K. N., kundrejt pagesave nga 50 mijë deri 150 mijë euro, për të kryer vrasjen e një shtetasi dhe të nipërve të tij, në qytetin e Tiranës, si dhe për vrasjen e shtetasit A. M., në qytetin e Durrësit.
Për realizimin e kësaj veprimtarie, 2 vëllezërit janë paguar paraprakisht me një shumë prej 6000 eurosh. Fillimisht ata kanë siguruar kushtet e nevojshme për kryerjen e vrasjes, si armë zjarri, automjet, motoçikletë, si dhe kanë marrë me qira një banesë, në afërsi të objektivit.
Në lidhje me objektivin e parë për të cilin ishte marrë porosia, për një shtetas dhe nipërit e tij, ishte planifikuar që vrasja të behej në zonën e Don Boskos, pasi ky shtetas frekuentonte një lokal të caktuar në këtë zonë. Pavarësisht porosisë dhe planifikimit, shtetasit G. B. dhe I. B. nuk kanë kryer veprime aktive në këtë ngjarje.
Vrasja e këtij shtetasi nuk u krye për shkak të ngatërrimit të objektivit dhe për pasojë, më datë 04.01.2022 u vra shtetasi A. Ç. alias E. Ç. dhe u plagosën 4 shtetas të tjerë. Autori i kësaj ngjarjeje dyshohet të jetë shtetasi K. Z., i cili pas ngjarjes është ndihmuar nga dy vëllezërit, për t’u larguar jashtë shtetit."
Gjithashtu, dy vëllezërit janë kontaktuar dhe porositur edhe nga shtetasi F. B., që kundrejt pagesës të kryenin vrasjen e shtetasve S. Z. dhe I. H. Për këtë veprimtari kriminale, vëllezërit kanë marrë një shumë paraprake prej 3500 eurosh dhe kanë siguruar mjetet për realizimin e kësaj ngarjeje dhe konkretisht 4 kg eksploziv, si dhe një armë zjarri automatik, të cilat janë gjetur dhe sekuestruar gjatë kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë, gjatë datës 3 tetor 2022.