Deputetët në Gjykatën e Apelit, Dashnor Sula: Përshpejtoni çështjen, po mbani qëllimisht peng PD
Deputetë të grupit parlamentar të Partisë Demokratike janë paraqitur me një shkresë në Gjykatën e Apelit duke kërkuar përshpejtim të çështjes e cila sipas tyre e ka lënë këtë forcë politike në agoni. Rreth 7 muaj pas ankimimit të vendimit të gjykatës lidhur me PD zyrtare, gjykata e apelit nuk ka asnjë përgjigje. Deputetët kërkojnë të përshpejtohet vendimi, i cili sipas tyre, po mbahet peng në interes të maxhorancës dhe përçarjes së PD.
Një përfaqësi e grupit parlamentar të Partisë Demokratike shkoi në dyert e Gjykatës së Apelit për të kërkuar llogari për vonesën e shqyrtimit të çështjes së vulës dhe stemës së Parisë Demokratike çka sipas tyre, po mban peng opozitën duke e lënë të përçarë.
Në shkresën e dorëzuar nga deputetët Dashnor Sula, Saimir Korreshi, Andia Ulliri dhe Arbi Agalliu i kërkohet Gjykatës së Apelit të përshpejtojë caktimin e seancës gjyqësore për shqyrtimin e ankimimit pa marë parasysh radhën e çështjeve të regjistruara.
Ndërkaq Sula bëri me dije se dosja kishte zënë pluhur në gjykatë e nuk ishte marë ende në shqyrtim, duke e cilësuar zvarritjen të qëllimshme.
Dashnor Sula: Dosja 49/91 datë 17.05.2022 nuk është marrë në shqyrtim dhe ne mendojmë që qoftë nga maxhoranca apo aktorë të tjerë politik janë të interesuar që ky vendim të mos gjykohet së shpejti. Jemi pranë zgjedhjeve vendore të 2023 dhe nëse demokratët do të jenë të ndarë këtë interes e ka vetëm Edi Rama e ka PS.
Deputetët shprehen se për ta nuk është më e rëndësishme se cila do të jetë PD zyrtare, por të pafuqishëm për të tërhequr ankimimin kërkojnë të përshpejtojnë gjykimin e çështjes.
Saimir Korreshi: Ne duam që ajo që e pengon ligjërisht këtë pjesë të ç’bëhet pastaj të vijojmë me hapa të tjerë. Ne nuk duam një 6 mars të dytë.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë njohu vendimet e kuvendit kombëtar të thirrur nga lideri Sali Berisha më 11 dhjetor, krahas kuvendit të thirrur më herët nga ish-kryetari Lulzim Basha.
Me pretendimin se ky venim u mor në shkelje të ligjit, Enkelejd Alibeaj pas dorëheqjes së Lulzim Bashës, ankimoi këtë vendim në gjykatën e Apelit. Kjo e fundit prill të këtij viti e regjistroi çështjen por edhe sot nuk ka një vendim për fatin e vulës dhe logos së PD.

