"Pyesni ata që kanë hakeruar!" Çuçi si policia: Lista e publikuar sot nuk është pjesë e databazës së Memex
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, i ka qëndruar deklaratës zyrtare të policisë, duke deklaruar se listat e publikuara sot nga hakerat iranianë me gjeneralitetet dhe fotot e personave me shtetësi shqiptare nuk është pjesë e bazës së të dhënave të sistemit Memex.
Teksa i drejtohej Kuvendit për seancë Çuçi tha se hetimet po vazhdojnë me Microsoft dhe FBI.
Çuçi: Lista që është publikuar e them me garanci të plotë që nuk është databaza e sistemit Memex që ka policia kriminale. Ju e dini që na kanë sulmuar. Jemi në hetim, kemi një trupë shumë të mirë nga Microsoft që do rrinë këtu për gjatë. Sistemet do rikuperohen të gjitha. Kemi rikuperuar shumë sisteme në kohë rekord. Ka pasur edhe spekulime. Lista që është publikuar sot nuk është pjesë e databazës së sistemit Memex. Po hetojmë bashkë me FBI.
Pyetjes nëse janë marrë të dhëna të tjera, Ministri jo pa nervozizëm dha këtë përgjigje:
Çuçi: Pyesni ata që kanë hakeruar!

