KLSH zbuloi abuzimet te “Zyber Hallulli”, drejtoresha e Shërbimi Social: Po bëhet politikë me fëmijët
Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë kontrollit tre vjeçar të shtëpisë së fëmijës “Zyber Hallulli”, ka vërejtur se kostoja e ushqyerjes kanë qenë me vlera më të ulëta se sa është përcaktuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Ndërkohë, PD ka kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor për abuzimet e zbuluara nga KLSH, në shtëpinë e fëmijes "Zyber Hallulli".
Nga ana tjetër, ka reaguar edhe drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror Reme Lala dhe drejtoresha e Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli” Tiranë Suela Lilollari.
Sipas tyre, pavarësisht gjetjeve të KLSH-së, nuk ka pasur asnjë cënim dhe asnjë ndryshim në menunë ushqimorë të fëmijëve.
“Përsa i përket kuotës ushqimore më duket të ritheksoj se ekziston një kontratë dy vjeçare e cila lidhet nga Agjensia e Blerjeve të Përqëndruara me Operatorin Ekonomik. Në këtë kontratë theksohet se për këtë afat dy vjeçar çmimi është i fiksuar, pra nuk ndryshon. Më duhet të them se në asnjë moment sasia dhe cilësia e ushqimit nuk është prekur” - tha Drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror Reme Lala.
Lidhur me menunë ushqimore Drejtoresha e shtëpisë së fëmijës “Zyber Hallulli” Tiranë Suela Lilollari tha se një grup disiplinar e vendos këtë.
“Mjeku ka një rol shumë të rëndësishëm në gjithë këtë proces për vetë faktin se ai është aktori kryesor që harton menunë së bashku me ekipin multidisiplinar. Ekipi multidisiplinar është një grup specialistësh të cilët ngrihen një herë në vit. Pjesëtarët e ekipit multidisiplinar janë përgjegjësi i sektorit social, punonjësi social, psikologu, mjeku, edukatori dhe ekonomisti” - tha Suela Lilollari.
Drejtuesit e institucioneve garantuan se menuja ushqimore e fëmijëve është e pandryshuar dhe sipas tyre po bëhet politikë me fëmijët pa kujdes prindëror.

