Zgjedhjet vendore, Berisha: Do ulemi me aleatët, por PD nuk largohet kurrë nga primaret
Sali Berisha nuk do të heqë dorë nga zhvillimi i primareve brenda Partisë Demokratike dhe vetëm pas këtij procesi do të ulet në tryezë me aleatët për të diskutuar metodologjinë e negocimit. Kreu i PD u shpreh se tërheqja e Ramës nga rritja e çmimit të energjisë elektrike është manovër për qëllime elektorale.
Partia Demokratike do të ulet në diskutime me aleatët vetëm pas primareve. Kjo është përgjigja e kreut të PD-së Sali Berisha pas takimit të partive të vogla të kampit opozitar të cilat apeluan për hyrje në zgjedhjet me kandidatë të përbashkët.
Sali Berisha: Ne do të ulemi me aleatët, PL dhe aleatët e tjerë e do të bsahkërendojmë. Do të bëjmë gjithçka që të arrijmë maksimumin e konsensusit. Problemi i vetëm është që nga primaret nuk mund të largohemi. Nëse largohemi nga primaret nuk jemi më vetja jonë.
Nesër mblidhet këshilli kombëtar për të diskutuar për primaret që do të zhvillohen. Janë mendime të ndryshme. Nuk mund tju them cilido vendim do të mbizotërojë por asnjëri nga këto vendime nuk vë në diskutim primaret. Primaret janë të domosdoshme. PD nuk mund të imagjinojë të mos përdorë sistemin e primareve sepse këtë risi solli dhe kësaj risie i qëndron”
Tërheqjen e Edi Ramës nga rritja e çmimit të energjisë, Berisha e cilëson si një manovër me qëllim përfitimin elektoral përpara zgjedhjeve vendore.
Sali Berisha: Edi Rama u dorëzua. I kam dhënë një ultimatum në mënyrë të përsëritur. Po rrite çmimin e energjisë do të presësh atë që meriton. Vetëm presioni funksionon me këtë njeri. Guxoj po s'guxoj.
Sa i takon amnistisë fiskale, kreu i PD theksoi se është një lobim i krimit dhe u bëri thirrje deputetëve të mos e votojnë duke penguar kështu kalimin e ligjit në Kuvend.
"Ai deputet që voton aministinë fiskale të Edi Ramës ka votuar krimindhe vetëm krimin. Edi Rama nuk ka votat për aministinë . Është tërësisht lobim i krimit."
Një përgjigje Berisha e kishte edhe për ambasadoren amerikane Yuri Kim.
Sali Berisha: "Ambasadorja që flet si guvernatore, shkon në një superharmoni me elementë të diskretituar kombëtarisht e botërisht si Edi Rama e Taulant Balla.
Enver Hoxha u thoshte shqiptarëve se bar do hamë e imperalizmit nuk do i nënshtrohemi. Zonja u tha mos hani barë që të votoni Sali Berishën. Këtu i prishi marrëdhëniet dhe pa kërkuar ndjesë publike ndaj demokratëve ajo nuk takohet me Sali Berishën. Të kërkojë ndjesë publike e të mësojë. Arroganca nuk është virtyt. Të kërkojë ndjesë një herë e më pas të tjerat diskutohen”
Pavarësisht debateve të brendshme se kush është ligjërisht drejtuesi i PD-së, Berisha thekson se mohimi që po i bëhet nuk ka asnjë vlerë përballë votës dhe zgjedhjes së qytetarëve.
