ZHGËNJYESE/ Shqipëria e pëson sërish në fund, Islanda barazon në shtesë
Çfarë zhgënjimi! Luajmë, dominojmë në 96 minuta dhe pësojmë një gol shumë të rëndë në minutën e 97 nga Islanda që nëse do të kishte dalë edhe me një humbje të thellë nga Tirana, nuk do të ishte aspak e habitshme. Mbyllet në barazim 1-1 ndeshja e fundit e Ligës së Kombeve për Shqipërinë që mbyll edhe grupin A2 me 2 pikë në 4 ndeshje duke lënë ta parakalojnë Islanda dhe Izraeli.
Vërshëllima nga 9 mijë të pranishmit në fund të ndeshjes dhe një situatë e rënduar për të besuarit e Edoardo Rejës që me këtë ndeshje sipas të gjitha gjasave e ka mbyllur aventurën me Kombëtaremn Shqiptare.
Ndeshja nisi në mënyrën e duhur pasi Uzuni detyroi Gunarsson ta linte skuadrën e tij me 10 lojtarë që në minutën e 10 dhe takimi u bë më i lehtë për Shqipërinë që mori kontrollin, krijoi raste dhe çau me vështirësi murin islandez.
Goli i Ermir Lenjanit pas asistit të Uzunit ishte një sinjal i qartë i dëshirës për ta fituar këtë ndeshje por kaq nuk mjaftoi. Shumë raste të humbura dhe më pas në sekondat e fundit të shtesës, Anderson bëri që në stadium të pllakoste heshtja dhe të nisnin vërshëllimat.
Aktivizimi i pjesshëm i Brojës nuk ndryshoi asgjë pasi dalja e Ismajlit për shkak të një dëmtimi, kompromentoi ndeshjen e kuqezinjve që luajtën për 17 minuta me forca të barabarta pasi trajneri Reja i kishte konsumuar ndërrimet në fushën e lojës.
Tashmë për Shqipërinë është koha e llogarive pasi kontrata e trajnerit Edoardo Reja përfundon në muajin nëntor kur Tiranën do ta vizitojnë kampionët e Europës, Italia e tij e dashur. Askush nuk e di nëse presidenti i FSHF, Armand Duka do t’i besojë projektin e ardhshëm apo vetëm ndeshjen miqësore të nëntorit. Këtë do ta tregojë vetëm koha.
Fotot: LSA
















