Banane kundër lojtarëve të Brazilit në Paris, Messi nuk ndalet me Argjentinën (VIDEO)

Racizmi në Europë nuk njeh kufij e as emra. Në Paris, gjatë ndeshjes miqësore Brazil-Tunizi, një tifoz ka hedhur në fushë një banane gjatë festimit të golit tyë Selecaos me autor Richarlison. Nga shkallët e “Parc de Princes”, fruti ekzotik u lëshua me një qëllim të qartë, për t’u dhënë një mesazh lojtarëve me ngjyrë të skuadrës 5 herë kampione bote.

Brazili zbriti në fushë me fanellën blu dhe në fillim të ndeshjes, lojtarët shpalosën një mesazh të qartë ku shkruhej: “Pa lojtarët tanë me ngjyrë nuk do të kishim 5 yje në fanellën tonë”.  Brazili e fitoi këtë përballje me rezultatin e thellë 5-1, ndërsa ndeshja u ndërpre disa momente edhe për shkak të lazerave drejtuar trajnerit Tite.



Në miqësoren tjetër të skuadrës amerikano-jugore, Argjentinës, skuadra e Messit fitoi ndaj Xhamajkës 3-0 ku numri 10 duket se është në formë të shkëlqyer. Sërish dygolësh për Messin që me kombëtaren fiton një dimension tjetër dhe jep sinjale shumë të rëndësishme në prag të Kupës së Botës 2022. Argjentina nuk njeh humbje që prej 34 ndeshjesh ndërsa pak ditë më parë fitoi edhe miqësoren me Hondurasin.