Ndryshimet ligjore në prokurori gati, anëtarëve të SPAK u jepen më shumë të drejta

Grupi teknik i ngritur pranë Kuvendit për rishikimin e ligjeve që kanë të bëjnë me reformën në drejtësi janë në përfundim të hartimit të propozimeve sa i përket funksionimit të SPAK, por dhe të Prokurorisë së Përgjithshme.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se deri tani janë pranuar disa nga kërkesat e drejtuesve të këtyre strukturave.

Mesohet se një nga propozimet do të jetë që prokurorëve të SPAK do tu jepet më shumë mbështetetje, duke i hequr të drejtën ILD për pezullim nga detyra kur kërkohet procedim disiplinor.  

Nga ana tjetër pritet që pranë kësaj strukture që ka detyrë të hetojë korrupsionin dhe krimin e organizuar, të ngrihet shërbimi ligjor. Detyra e këtij të fundit do të jetë dhënia e këshillave, analizimi i dosjeve dhe studimi i ankimeve që përgatitet relacionet për çështjet në gjykim etj.

Nga ana tjetër edhe Olsian Çelës i janë pranuar disa nga ankesat duke i dhënë më shumë kompetenca në prokuroritë e rretheve dhe të Tiranës. Kryeprokurorit do ti jepet e drejta që të japë vlerësimin për kandidatët për drejtues prokurorie para se të listohen nga KLP.

Nga ana tjetër drejtuesit e akuzës do të kenë detyrë ta informojnë periodikisht atë mbi situatën e kriminalitetit, efektet që kanë dhënë masat e marra por edhe duke i paraqitur të dhëna të plota në çështje të ndryshme.

Roli i kreut të Përgjithshëm të akuzës forcohet edhe në miratimin e rregulloreve apo dhe në kontrollin e ngarkesës që do kenë prokurorët dhe të mbajtjes në kontroll të afateve.