Berisha distancohet nga Basha për fondet ruse: Njëherë e shpëtoi Rama…të thotë ku i mori paratë. S'ka lënë asgjë në zyrë por do hetohet
Partia Demokratike ngriti një Komision të Posaçëm për hetimin e Lulzim Bashës në lidhje me dyshimet për financime ruse në vitin 2017.
Sali Berisha garantoi se në Partinë Demokratike nuk ka hyrë asnjë rubël. Sipas tij ky është vetëm një akt personal i ish-kryetarit të PD-së Basha.
Berisha: Si Forumi kryesor pas Kuvendit të PD dua tu informoj se ish-kryetari ka pranuar sipas raporteve serioze financime ruse. Ky është një akt jashtëzakonisht i rëndë për PD si parti e interesit kombëtar shkelmim i një prej parimeve më themelore të programit të saj dhe qëllimeve të saj. Por do theksoj tre gjëra.
-Së pari, deri në këtë moment nuk ka asnjë individ në PD që të ketë pasur dijeni për financime ruse. Në arkën e PD nuk ka hyrë dhe nuk ka dalë ,sipas dëshmive të besueshme plotësisht të zotit Ristani dhe Ilir Dervishi, asnjë qindarkë nga këto para. Është akt personal i Lulzim Bashës.
-Së dyti, në 2018 kur ambadori amerikan më ka sjellë një dosje në zyrë nuk ka pasur asgjë tjetër përveç artikullit të Mother Jones dhe fletës nga Departamenti i Drejtësië që provonte se Nick Muzin është lobist i PD. Në prill pas zgjedhjeve në 6 bashki disa bashkatdhetarë tanë më kanë informuar nga Nju Jorku se kanë firmosur por nuk kanë dhënë asnjë qindarkë siç mashtronte Lulzim Basha, për të financuar lobistët e tij. Pasi u bënë tre burime unë kam dalë në media dhe kam akuzuar Edi Ramën se mbylli dosjen ruse të Lulzim Bashës.
Sot kryesia ka vendosur të ngrejë një komision për këtë aferë. Ai po dëshmon mungesë totale përgjegjshmërie sepse është i detyruar së paku të thotë ku i mori paratë, kush ja dha dhe si i dërgoi në Skoci, kur kanali bankar nuk ekziston. E shpëtoi njëherë Edi Rama por kjo çështje është shumë serioze dhe ai nuk duhet ta trajtojë ndryshe. Të bëjë transparencë të plotë se e ka drejtuar këtë parti, meqenëse e mohon dhe pse ju e dini se gjënë më të lehtë ka gënjeshtrën.
-Së fundi duhet të qartësoni çdo qytetar dhe demokrat se Edi Rama siç ka deklaruar në 2018 se ato janë para ruse, deklaroi dhe para një jave në SHBA se ata e dinin se janë para ruse. Edi Rama faktikisht bëri gjithçka për të mbyllur dosjen. E bëri me urdhër të Putinit? Nuk kam asnjë të dhënë. E sigurt është se e bëri për të marrë peng kryetarin e opozitës.
Komisioni që është ngritur do të hetojë. Asgjë nuk ka lënë në zyrë, ka marrë dhe hard-disqet por me ato çka do të hetojë do informojë Këshillin Kombëtar dhe opinionin publik.
Grupin e auditit ndaj Lulzim Bashës do ta drejtojë Ledina Mandia, ish-zëvendëskryeministre e qeverisë së përbashkët PD-PS që u arrit me paktin Basha-Rama në 2017.
Para Këshillit Kombëtar të mbledhur të hënën, 26 shtator, që finalizoi vendimet e Kryesisë së PD-së, Berisha lajmëroi dhe një valë protestash këtë vjeshtë.
Ai konfirmoi se do të bashkëpunojë me Partinë e Lirisë por edhe Sindikatat, zëri i të cilave është zbehur në Shqipëri.
Berisha: Duhet të jetë vjeshta e protestave ose pranvera e demokracisë kjo vjeshtë. Situata është dëshpëruese dhe do të përkeqësohet dhe më tej nëse ne nuk arrijmë të dëshmojmë para shqiptarëve se në misionin tonë nuk kemi të ndalur.
Berisha akuzoi kryeministrin Rama për politika antishqiptare duke ju referuar qëndrimit ndaj presidentit serb Vuçiç, marrëveshjes së këtij të fundit me Rusinë, qasjes ndaj Kosovës si dhe shërbimeve ndaj Turqisë së drejtuar nga presidenti Erdogan.
Ndërkohë PD ka gati draftin për aplikimin e primareve në zgjedhjet e ardhshme vendore. Seleksionimi dhe përzgjedhja e kandidatëve do të kryhet përmes votimit të drejtëpërdrejtë të anëtarësisë sipas parimit "një anëtar një votë".
Votimi i i këtij drafti u shty nga Këshilli Kombëtar në mbledhjen e sotme me qëllim që anëtarët të njihen me materialin.
