Pas shkarkimit, Arben Ahmetaj pa asnjë post në PS, Rama mbledh kryesinë
Arben Ahmetaj pas shkarkimit nga Qeveria, nuk do të ketë më asnjë post as në Partinë Socialiste. Kjo pasi kryesocialisti Edi Rama ka propozuar që ta zëvendësojë atë në detyrën e drejtimit të Qarkut të Vlorës.
Pasi u shkarkua nga kabineti qeveritar, Arben Ahmetaj do të mbetet edhe pa post drejtues në selinë rozë. Edhe pse i besoi qarkun e përzemërt, kryesocialisti Edi Rama ka vendosur ta “zhveshë” ish-zëvendësin e tij nga detyra e drejtuesit politik të Vlorës.
Këtë të martë, 27 shtator 2022, në orën 18:00 Edi Rama do të mbledhë kryesinë e Partisë Socialistë për të diskutuar nisjen e sesionit të ri politik, si dhe për t’i gjetur zëvendësuesin Ahmetaj.
Burimet bëjnë me disje se emrat më të mundshëm për të drejtuar Vlorën në prag të fushatës zgjedhore janë Blendi Klosi, Bledar Çuçi dhe Belinda Balluku.
Por përveç Vlorës mund të jetë edhe Shkodra një qark që mund të ndryshojë drejtim pasi ministrja e Shtetit, Edona Bilali, është në pritje të ëmbël dhe PS-së i nevojiten shumë energji që në zgjedhjet vendore të luftojë për bastionin e vetëm që i ka mbetur demokratëve.
Po ashtu, Kryesocialisti do të kërkojë nga anëtarët e kryesisë edhe një analizë të situatës në qarqet që ata drejtojnë për punën e strukturave të Partisë Socialiste.
Ndryshe nga PD e Berishës, socialistët nuk do t’i zgjedhin kandidatët e tyrë për bashkitë nëpërmjet primarëve, por emrat do të kalojnë vetëm nga dora e kryesocialistit Edi Rama.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

