Anijet e energjisë, Kim e Balluku te termocentralet lundruese: Do të furnizohen 150-200 mijë shtëpi
Termocentralet e Vlorës pritet të prodhojnë, sipas qeverisë,15% të nevojës vendase për energji elektrike. Ambasadorja Kim gjatë një inspektimi të tyre bashkë me ministren Balluku tha se nëse funksionojnë siç duhet këto anije, arrihet furnizimi i 200 mijë shtëpive.
Ambasadorja e SHBA në Shqipëri, Yuri Kim, sëbashku me ministren Belinda Balluku kanë vizituar termocentralet lundruese të prodhimit të energjisë të vendosura në Vlorë nga kompania amerikane “Excelerate Power.
Ambasadorja Yuri Kim u shpreh se Shqipëria është me fat pasi ka nisur të flasë për energjinë që në vitin 2020 dhe sipas saj përmes anijeve lundruese që prodhojnë energji do të mund të furnizohen 150 deri 200 mijë shtëpi.
Yuri Kim: Në fakt ne jemi me fat pasi nisëm të flasim për energjinë që nga viti 2020. Hapat që ishin hedhur aso kohe tani janë shumë të rëndësishme. Gjithashtu jemi të kënaqur që ju kemi sjellë kompani amerikane që mund të sjellin energji elektrike. Nuk duken të bukura, por rëndësi ka që funksionojnë.
Sipas statistikave vitin e kaluar konsumi total i Shqipërisë ka qenë në shifra të larta dhe nëse kjo funksionon si duhet dhe nëse prodhojnë të paktën 114 megavat kjo mund të përmbushë nevojat 12 deri 15 përqind të nevojave totale për energji elektrike në vend. Në terma mesatar 150 deri 200 mijë shtëpi do të furnizohen prej këtyre anijeve që prodhojnë eneregji elektrike. Kështu Shqipëria do të ketë energjinë elektrike për të cilën ka nevojë.
Ndërsa Balluku tha se do të prodhohet 15% e energjisë vendase.
Belinda Balluku: Ne këtu do të prodhojmë 15% të nevojës vendase. Nga ana tjetër do të kursejmë më shumë se gjysmën e atyre parave, gati 60% me çka do të importonim këtë 15% energjie që na mungon.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës tha gjithashtu se ishin në garë me Gjermaninë nëse do të vinin këtu apo do të shkonin në Berlin dhe se e gjithë Evropa po mundohet të instalojë njësi të tilla.
Në Vlorë janë instaluar dy termocentrale lundruese për prodhimin e energjisë.
