Berisha: Rama, njeri pa atdhe! Marrëdhëniet me Erdoganin poshtëruese, Turqia s'mund të diktojë mbylljen e shkollave

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Sali Berisha kritikoi ashpër kryeministrin Edi Rama për marrëdhëniet e tij me Turqinë, posaçërisht me presidentin Erdogan, duke i cilësuar si poshtëruese.

Referuar vendimit të fundit të mbylljes së shkollës dhe kopshtit turk në vend, Berisha tha se ky është një akt i turpshëm teksa një apel i drejtoi edhe blerësit të godinës së shkollës.

Berisha: Tepër problematike janë relacionet e tij poshtëruese me presidentin e Turqisë. Ne jemi forcë politike e interesit kombëtar dhe duhet t'ua themi shqiptarëve të vërtetat si janë. Qëndrimet e persidentit të Turqisë janë në kundërshtim flagrant me miqësinë dhe bashkëpunimin që ka ekzistuar mes dy vendeve sovrane. Rikujtoj që kurrë nuk duhet të harrojmë se kombi është i pari dhe ne jemi komb plureligjioz. Nuk mund të pranojmë ndikime nga askush në raportet tona fetare. Ata që thanë se feja e shqiptari është shqiptaria ata ishin besimtarë të Zotit. Por ata e thanë këtë se fetë nuk duhet ti përçanin asnjëherë shqiptarët pavarësisht nga besimet e tyre.Në një anë kërkohet të emërohet kreu i KMSH, i cili në të gjitha statutet e këtij komuniteti zgjidhet me votë nga xhemati i tij.

Tani na del se do na hapë dhe mbyllë shkollat kur të dojë. Nuk ka akt më të turpshëm, më poshtërues, më të shpifur se të mbyllësh shkolla dhe kopshte fëmijësh se gjoja janë të lidhura me terroriste dhe puçistë në Turqi. Asnjë fakt. Fakti i vetëm se gjen një oligark të klientelës për të thënë se e kam blerë unë godinën, Sinan Idrizin. I them Sinan Idrizit mos e bëj veten në këtë mënyrë se do përgjigjesh për këtë. Mos luaj në interesa kombëtare! Nëse Turqia do të respektojë Shqipërinë si vend sovran nuk do mundet kurrë të diktojë mbyllje kopshtesh dhe shkollash në Shqipëri, me asnjë manovër. Nuk mund të lejojmë që vendimet ndaj nesh të merren në Beograd dhe Ankara, kanë ikur ato kohëra. Po ky nuk ka atdhe, është një apatrit, një njeri i përkushtuar vjedhjes dhe pasurimit të tij nga mëngjesi në darkë dhe çdo ditë.