Dështon trafikimi i 13 klandestinëve, dy të arrestuar në dy operacione, një në kërkim

Dështon trafikimi i 13 klandestinëve, dy të arrestuar në dy

Goditen brenda disa orësh, 2 raste të veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

Finalizimi i operacioneve "Road Guard 39" dhe "Road Guard 40" në Gjirokastër çoi në pranga 2 shtetas, ndërsa u shpall në kërkim një i tretë.

Të arrestuarit  janë G. H., 45 vjeç dhe L. J., 49 vjeç, banues në Krujë, si dhe u shpall në kërkim shtetasi E. R., 42 vjeç banues në Sarandë.

Arrestimi i shtetasve G. H. dhe L. J. u bë pasi janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë, në vendin e quajtur "Shkalla e zezë", duke transportuar me automjetet përkatëse tip "Ford", 6 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, kundrejt fitimit.

Shpallja në kërkim e shtetasit E. R., 42 vjeç, banues në Sarandë, u bë pasi sapo ka vënë re shërbimet e Policisë që ishin në ndjekje të tij, është larguar me shpejtësi dhe në hyrje të qytetit të Tepelenës ka braktisur automjetin me të cilin po transportonte 7 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, kundrejt fitimit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 automjetet, 3 aparate celulare dhe një shumë parash.

Vijon puna intensive për kapjen e shtetasit E. R., si dhe për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. 

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.