Rinas, tentuan të kalonin 12 840 euro veshje dhe 17 420 paundë, procedohen 3 persona

Policia Kufitare e Rinasit ka goditur 2 raste të kontrabandës së mallrave dhe 1 rast i mos deklarimit të të hollave në kufi.

Kështu, policia ka sekuestruar veshje të ndryshme me vlerë që shkonte deri në 12 840 euro dhe 17 420 paundë.  

"Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, gjatë përpunimit të dokumentacionit, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, kanë kaluar për kontroll më të detajuar në vijën e dytë, bagazhet e shtetaseve Xh. S. dhe D. Sh., në të cilat u gjetën veshje të padeklaruara në Degën e Doganës Rinas, me vlerë 12 840 euro. Po ashtu gjatë kontrollit më të imtësishëm në vijën e dytë, shtetasin D. H., të cilit i kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 17 420 paund, të cilat ai nuk i kishte deklaruar.” – njofton policia.

Në përfundim të veprimeve, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe nisi procedimi penal për shtetaset Xh. S. dhe D. Sh., dhe për shtetasin D. H.