Blushi: Shqiptarët me të ardhura 10 herë më pak se në Luksemburg e blejnë sot naftën më shtrenjtë

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, akuzon qeverinë  Rama se po vjedh qytetarët shqiptarë me çmimin e naftës.

Në një postim në facebook, ai thotë se shqiptarët me të ardhura 10 herë më pak se në Luksemburg e blejnë sot naftën më shtrenjtë.

Sipas tij, miratimi sa më parë në Kuvend i nismës ligjore të Partisë së Lirisë për heqjen e taksës së qarkullimit dhe të karbonit është e vetmja zgjidhje për të ulur çmimin e karburanteve.

Blushi: Në Shqipëri, vendin më të varfër të Europës, ku paga minimale është 291 euro dhe 67% e popullsisë jeton me të ardhura më pak ose deri në 5.5 dollarë në ditë, sot 1 litër naftë shitet 1.91 euro.

Në Luksemburg, vendin me pagën minimale 2,202 euro, më të lartën në të gjithë Bashkimin Europian, sot 1 litër naftë shitet me 1,77 euro.

Shqiptarët me të ardhura 10 herë më pak se në Luksemburg e blejnë sot naftën më shtrenjtë sepse në krye kanë një Qeveri që i vjedh papushim çdo ditë. Tani edhe me vendime të Bordit të Hajdutëve, që ka vetëm një qëllim: Të zbrazin xhepat e qytetarëve për të mbushur xhepat e Edi Ramës dhe arkën e Qeverisë, që të financojnë grabitjen përmes inceneratorëve dhe koncensioneve.

Miratimi sa më parë në Kuvend i nismës ligjore të Partisë së Lirisë për heqjen e taksës së qarkullimit dhe të karbonit është e vetmja zgjidhje për të ulur çmimin e karburanteve!

Shurdhësia, babëzia, paligjshmëria dhe korrupsioni i Qeverisë po i zhyt shqiptarët në varfëri të thellë!