Hackerat nxjerrin sheshi pamjet e kamerave të sigurisë në komisariate e dogana, akses edhe tek Mbrojtja e Dëshmitarëve

Grupi i hakerave që kryen sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë publikoi materiale të reja nga sistemi i brendshëm i policisë. Bëhet fjalë për regjistrimet e kamerave në dhomat e izolimit ku të ndaluarit flenë në dysheme, por edhe për pamjet nga pikat kufitare dhe sektori i mbrojtjes së dëshmitarëve.

Grupi i hakerave HomeLand Justice kanë publikuar sot disa video nga sistemi i kamerave të sigurisë në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës.

Ato tregojnë ambjetet e shoqërimit, intervistimit, paraburgimet apo dhe korridorët e brendshëm të saj, ku në një nga sekuencat duket një i ri që fle në dysheme.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Regjistrimet janë marrë nga sistemi i kamerave të sigurisë në Policinë e Shtetit nga grupi me origjinë nga Irani HomeLand Justice që kreu sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë.

Pamjet e marra nga hakerat tregojnë filmimet që janë kryer për disa muaj radhazi ndërkohë që sipas Microsoft dhe FBI aksesin autorët e sulmit e kanë pasur në rrjetin shqiptar për mbi 14 muaj.

Të hënën ata kanë vendosur të publikojnë vetëm disa prej këtyre pamjeve ku më e fundit është ajo e 4 shtatorit 2022, ku përfshihen pamje nga aeroporti i Rinasit, policia rrugore apo edhe pikat e kalimit kufitar.

Në sistemin e kamerave ku kanë pasur akses hakerat është listuar edhe platforma e vëzhgimit e mbrojtjes së dëshmitarëve, e cila përmban regjistrimet e të dhënat e bashkëpunëtorëve të drejtësisë, të dhëna të klasifikuara si tepër sekrete dhe të ndjeshme për rëndësinë që kanë.