Show me arrestime te Trauma, lirohen mjekja dhe kryeinfermierja, mbetet në qeli reanimatori që mori paratë
Një ditë pas operacionit me policë të maskuar e të armatosur rëndë në spitalin e Traumës 2 prej personave të shoqëruar janë lënë të lirë. Në qeli ka mbetur vetem mjeku reanimator, Fitim Marku, i cili u arrestua pasi mori 20 mijë lekë të ofruara nga një agjent i infiltruar që u hoq si i afërm i një pacienti që kërkonte të bënte skaner.
Policia e Tiranës ka lënë të lirë dy mjekët e shoqëruar gjatë aksionit të zhvilluar të premten, 23 shtator 2022 në Spitalin e Traumës ku ra në pranga anestezisti, Fitim Marku, i akuzuar për korrupsion.
Dy personat në fjalë me iniciake K.B. me detyrë infermiere dhe S. B., me detyrë mjeke u ndaluan në kuadër të operacionit të prokurorisë dhe policisë të premten ku u arrestua mjeku Fitim Marku, i akuzuar për marrjen e një rryshfeti prej 20 mijë lekësh të reja.
Sipas policisë 2 kolegët e Markut janë shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës në cilësinë e personave që mund të kenë dijeni për veprën penale, por edhe me dyshimet se mund të ishin bashkëpuntorë.
Pas verifikimeve, grupi i hetimit ka vendosur ti lirojë, ndërkohë që vijon të mbetet në qeli mjeku reanimator Fitim Marku, i cili u arrestua në flagrancë agjentët e Operacionales.
Prokuroria ka theksuar se nga hetimet e kryera deri më tani, ka dyshime se Fitim Marku merrte para tek pacientët apo qytetarë që kërkonin shërbim tek Spitali i Traumës për kryerjen skanerave.
Forcat Operacionale me maska dhe me veshje e armatime të rënda u shfaqën tek Spitali i Traumës mes mjekëve dhe pacientëve të premten ku përveç efektivave të shumtë që qëndronin jashtë dyreve, në ambientet e brendshme kishte edhe efektivë të maskuar.
Në vazhdim të hetimeve pritet që mjeku reanimator Fitim Marku të dalë para Gjykatës së Tiranës për caktimin e masës së sigurisë ndërkohë që Prokuroria i ka ngritur akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit pasi ka marrë paratë nga një agjent i infiltruar.

