Përgjaken rrugët/ Një viktimë dhe katër të plagosur në orët e vona të së premtes

Një viktimë dhe 4 të plagosur është bilanci tragjik i aksidenteve rrugore të shënuara në orët e vona të së premtes në akse të ndryshme të vendit.

Rrugët e vendit vijojnë të marrin jetë njerëzish, ndërsa nuk ka asnjë përmirësim sa i përket sinjalistikave dhe ndërgjegjësimit të drejtuesve të automjeteve.

Një grua humbi jetën mbrëmjen e së premtes pasi u përplas për vdekje nga një makinë që po lëvizte në aksin Fier – Patos.

Aksidenti ndodhi në mbrëmje vonë rreth orës 23:30 të së premtes, në vendin e quajtur “Kthesa e Patosit”, ndërsa policia ende nuk ka mundur të bëjë identifikimin e viktimës edhe pse  mbërriti në vendngjarje ku dhe ka mbledhur provat për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit të rëndë.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Sipas burimeve, mësohet se një automjet që po lëvizte drejt Patosit ndërsa përplasi gruan që sipas burimeve ishte duke mbledhur kanaçe anës rrugës.

Viktima i përket komunitetit rom dhe pothuajse çdo mbrëmje shëtit rrugëve për të mbledhur kanaçe e me të ardhurat e tyre mbante familjen.

Nga informacionet e para shoferi pasi ka shkaktuar aksidentin është larguar nga vendi i ngjarjes.

Ndërkohë, pak minuta pas kësaj ngjarjeje, një tjetër aksident i rëndë automobilistik do të ndodhte në aksin rrugor Lezhë-Laç në afërsi të kryqëzimit të Shënkollit.

Dy automjete janë përplasur "kokë më kokë" me njëri-tjetrin e për pasojë kanë mbetur të plagosur 4 persona, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë.