Berisha thirrje për protesta, mazhoranca tërhiqet nga mosprekja e hartës: Të negociojmë numrin

Sali Berisha është përplasur me PS në Parlament pas thirrjeve për protestë dhe grevë deri në largimin e Edi Ramës. Në grup deputetët e majtë kanë sulmuar kryetarin e PD-së, duke e akuzuar për nxitje dhune, ndërsa tensioni politik është transmetuar edhe tek Ministrja Spiropali dhe demokratja Grida Duma që përfunduan në fyerje personale. Nga kjo e enjte më i fituar doli Enkelejd Alibeaj, i cili e bindi PS-së që të ulej sërish për të negociuar mbi numrin e bashkive.

Partia Socialiste është tërhequr nga vendimi i saj për të mos ndryshuar hartën territoriale.

Me negociata mes mazhorancës dhe grupit demokrat është rënë parimisht dakord që t’i jepet një fitore politike, Enkelejd Alibeaj, duke i dhënë mundësinë që të shtojë numrin e bashkive.

Për këtë arsye Konferenca e Kryetarëve ka vendosur që të shtyjë punën e Komisionit të Reformës Territoriale deri me 21 tetor.

Ndërsa Sali Berisha ka shfrytëzuar foltoren e Kuvendit për t’i bërë thirrje qytetarëve për të dalë në protestë kundër qeverisë së majtë.

Berisha: Socialistë, demokratë dhe të çdo bindjeje të ngrihen fuqishëm, të mos lënë një copë injorant, një njeri që nuk është i denjë as për mësues vizatimi. Në grevë, në grevë, vetëm grevë. Parlamenti nuk ka pse ekziston më. Do të përballeni me qytetarët shqiptarë. Ky është zotimi solemn në emër të PD-së dhe opozitës.

Deklaratat e kryetarit të PD-së kanë shqetësuar jo pak socialistët, të cilët me një qëndrim të strukturuar ju vërsulën Sali Berishës.

Manja: Na trego kë keni në plan për të vrarë sepse ishim dëshmitarë të një shfaqjeje të një platforme dhune.

Spiropali: Në takim i tha më jep leje të qëlloj, të vras Edi Ramën.Ky i jep lejet për vrasje.

Balla: Kërkon sherr, kërkon luftë, sa  herë i jepet mundësia. Ky pisllëku, ky PS i ha atë...

Por ish-kryeministri nuk është ndalur në akuzat ndaj kabinetit të qeverisë Rama. Ai hodhi dyshime që largimi i ish-drejtorit të Policisë të kishte lidhje me zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Por pyetjet e tij nuk morën përgjigje.

Berisha: Me çfarë lidhet largimi i Nanos? Fol pak këtu për misterin e pallatit të Lul Morinës, mullar pallatin.

Nga ana tjetër Balluku pranoi që sistemi kibernetik mbrojtës i vendit tonë ka nevojë për t’u forcuar që të mos bëhemi më pjesë e agresioneve armike.

Balluku: Sulmi ka pasur si synim fshirjen e çdo të dhëne në sistemin e Republikës së Shqipërisë. Asnjë e dhënë nuk është humbur. Sa i përket mbrojtjes së sigurisë kibernetike është një mësim i nxjerrë.

Përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës kanë denigruar deri në fyerje personale mes ministres Spiropali dhe deputetes Grida Duma.

Duma: Koherenca juaj me Skëndërbeun dhe me kalin e Skënderbeut është epike.

Spiropali: Arrogante, e vrazhdë, herë delirante, ajo është triumfi absolut i formës mbi përmbajtjen sepse lavjerrësi i saj politik flet më shumë se çdo gjë tjetër. Luli i mirë, Luli i keq. Berisha i keq, Berisha i mirë.