“Sulmet kibernetike prej 14 muajsh”, Salianji: Shteti ka rënë! Balluku pranon dështimin: S'ishim të përgatitur

Qeveria shqiptare pranon dështimin për mbrojtjen e të dhënave të qytetarëve shqiptarë nga vjedhja e tyre nga hakerat iranianë. Nga foltorja e Kuvendit, Belinda Balluku, deklaroi se qeveria nuk ishte e përgatitur për një sulm të këtij niveli. Deputeti demokrat, Ervin Salianji, i kujton se shteti ka rënë për shkak të korrupsionit në qeveri.

Kuvendi është përfshirë në debate të forta mes opozitës dhe mazhorancës lidhur me sulmet kibernetike, të cilat siç raportojnë FBI dhe CISA, kanë ndodhur prej 14 muajsh.

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, tha se ajo që ka ndodhur është shumë e rëndë dhe se qeveria duhet të mbajë përgjegjësi.

Salianji: Në Shqipëri ka ndodhur një ngjarje shumë e rëndë, nuk kalohet dot me propagandë.Sulm i vendeve armike ndodh ndaj cilitdo vendi tjetër që është partner dhe aleat, Shqipëria e ka fat që është partnere me SHBA. Ne kemi rënë se jemi të dobët, se ka korrupsion shteti dhe qeveria. Qeveria miliona euro nuk i ka përdorur për sigurinë kibernetike por i ka përdorur ose për lobim, ose për t'ua dhënë tre kompanive këtu. Ky është problemi.

Po u lexoj vetëm një pjesë si ka dështuar gjithë sistemi dhe rekomandimet e FBI që janë të gjitha ato që kanë dështuar shtetin shqiptar dhe prokuroria duhet të nisë hetimet e mënjëhershme për të gjetur përgjegjësit. 14 muaj ka qëndruar në sistem hakeri që ka hyrë nga Irani. Mos të harrojmë që hakërimi ka nisur në maj, një muaj pas zgjedhjeve, pasi qeveria ja ka lehtësuar me të gjithë të dhënat e qytetarëve që kanë dalë publike të gjitha sepse janë përdorur pëër patronazhimin duke vendosur të gjithë institucionet shtetërore në shërbim të zyrave elektorale të PS-së.

Në përgjigje zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, deklaroi se hakerët kanë qëndruar në sistemet tona 14 muaj, po kanë qenë të padukshëm dhe qëllimi i tyre ka qenë fshirja e çdo të dhëne, por kjo nuk është arritur.

Sipas saj, ishte e pamundur për ne që të përballonim sulmin e mirëorganizuar në katër burime të ndryshme.

Balluku: Këtë sulm kibernetik që sot quhet luftë opozita mos ta përdorë për abuzime dhe goditje narrative. Së dyti kërkojmë që në bashkëpunim me opozitën të rishikojmë disa nga aktet ligjore sa i përket mbrojtjes kibernetike.Lejoni të bëhet transparenca se edhe e kërkoni dhe kur dalim ju menjëherë kërkoni ta ndërprisnin se nuk doni të ndodhë kjo. Ju doni të përfitoni nga një situatë por kjo nuk është situatë dosido. Shqipëria është në një sulm agresiv të një shteti i cili ka edhe mundësitë financiare dhe kapacitetet teknologjike për të bërë shumë keq.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetit të PD-së, Ervin Salianji, i cili tha se Shqipërisë i kanë rënë pantallonat në fund të këmbëve.

Ndërsa shtoi se qeveria akoma nuk ka bërë transparencë, ndaj i kujtoi se sulmi i organizuar nuk mbahet dot me përgjigje të dështuara.