“Ilir Meta në Kuvend pa verifikim”, Autoriteti i Dosjeve: Emrin e ish-Presidentit e sollëm pa bërë asnjë hetim

Autoriteti i Dosjeve ka pranuar që emrin e ish-Presidentit të akuzuar për bashkëpunëtor të Sigurimit e kanë sjellë në Kuvend pa bërë asnjë verifikim. Ndërsa anëtarë të tjerë të institucionit treguan që ka ende në funksion gjyqtarë dhe prokurorë që në të shkuarën i kanë shërbyer Sigurimit. Por për të bërë të mundur hetimin e këtyre rasteve, Autoriteti kërkon që Parlamenti të heqë barrierat ligjore për t’i kaluar në sitë të gjithë funksionarët publikë. PS dhe Alibeaj kanë dhënë dakordësinë, ndërsa PD e Berishës dhe PL e Metës kundër.

Autoriteti i Dosjeve ka reaguar për herë të parë për akuzat e bëra nga vetë institucioni ndaj ish-Presidentit Ilir Meta si bashkëpunëtor i ish-Sigurimit.

Genta Sula dhe anëtarët e tjerë e pranuan në Komisionin e Ligjit që ata njoftuan Kuvendin pa bërë asnjë verifikim mbi figurën e ish-Presidentit, i cili sot drejton Partinë e Lirisë.

"Nuk kemi marrë vendim, nuk kemi bërë hetime."

"Në rastin konkret nuk është bërë asnjë verifikim nga institucioni."

"Qytetari F.T është paraqitur pranë nesh, ne po e shqyrtojmë kërkesën e tij."

Gazmend Bardhi hodhi dyshime mbi integritetin e Autoritetit, duke e lidhur argumentin që ky institucion në dokumentin e sjellë Kuvendit ish-Presidenti ishte me emër dhe mbiemër, dhe të tjerët me iniciale.

"U veçua subjekti sepse për të ishte kërkuar më parë verifikim figure."

Iniciativa e paverifikuar nga Autoriteti i Dosjeve për ish-Presidentin nuk është ndjekur për denoncime të tjera për funksionarë të tjerë që mbajnë ende funksione në sistemin gjyqësor apo administratën shtetërore. Këtë fakt e pohojnë vetë anëtarët e këtij institucioni.

"A ka sot në sistem gjyqtarë dhe prokurorë që kanë certifikatë Mezini apo Bezhani dhe sot janë në punë?"

"Në këto 6 raste ka të tillë, nuk është e nevojshme të përmendim emra."

Heqja e barrierave ligjore për Autoritetin e Dosjeve për të verifikuar çdo funksionar publik ka bërë bashkë PS dhe grupin demokrat të Enkelejd Alibeajt, duke ndërmarrë dy nisma ligjore të dakordësuara.

"Certifikatat Bezhani-Mezini mos të përdoren si muri mbrojtës që ti nuk vihesh dot përballë Autoritetit."

"Shantazhi psikologjik me dosjet është gjithmonë i pranishëm në tryeza politike dhe për këtë arsye mjeti ne besojmë se është deklasifikimi i menjëhershëm dhe automatik i të gjithë dosjeve. Përjashtohen dokumentat e ish-Sigurimit që lidhen me marrëdhëniet ndërmjet shteteve dhe sigurinë kombëtare."

Por Partia Demokratike e cilëson antikushtetuese nismën e PS për t’i bërë të pavlefshme certifikatat e Komisionit Mezini-Bezhani dhe tentantiva për ta kthyer Autoritetin e Dosjeve në Gjykatë.

"Për propozimin e zotit Balla është haptazi në përplasje me Kushtetutën. Autoriteti nuk ka me ligj kompetenca kuazi gjyqësor."

Nisma e Alibeaj për të deklasifikuar dosjet e ish-Sigurimit sipas Bylykbashit është pa efekt, por në vend që të bëjnë arnime në ligj ai propozon rikthimin e lustracionit.

"Të gjitha dosjet e Sigurimit të Shtetit janë të deklasifikuara.Ne duhet të rikthejmë ligjin e vitit 2008 për lustracionit. Kjo gjë o bëhet mirë, ose për ta bërë pis dhe llum, për ta bërë dhe më keq seç ka ndodhur deri më sot, nuk bëhet."

Ndërsa deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka akuzuar Genta Sulën që është vënë në shërbim të Edi Ramës për të sulmuar kundërshtarët e tij politik.