Transporti urban në krizë për punonjës, Memaj: Duan stimul, Qeveria të na mbështesë
Transporti urban kohët e fundit po përballet dhe me mungesë të stafit, përveç vështirësive të shkaktuara nga shtrenjtimi i karburanteve. Kreu i Shoqatës së Transportit Urban, Dashnor Memaj, kërkon mbështetjen e qeverisë, pasi punonjësit duhet stimuluar me rritje page.
Veç vështirësive ekonomike që është përballur që prej nisjes së pandemisë, por dhe rritjes së karburanteve, Shoqata e Transportit Urban po përballet dhe me mungesë të stafit.
Kreu i Shoqatës së Transportit Publik, Dashnor Memaj, kërkoi suport financiar më afatgjatë nga qeveria për të përballuar krizën.
"Kohët e fundit është vënë re një ikje masive e punëtorëve tonë pavarësisht se ne jemi munduar ti stimulojmë me rritje page. Që ne të rrisim pagat, të kemi shërbim më të mirë dhe të përmirësojmë dhe flotën e mjeteve na duhet një investim afatgjatë dhe një politikë afatgjatë nga shteti."
Në këtë situatë Memaj thotë se është në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë operatorët sa i përket aboneve të studentëve dhe ende nuk kanë një vendim se çfarë do të bëhet.
"Pritet të dalim me një vendim duke qenë se vështirësitë e operatorëve janë gjithnjë e në rritje. Besoj se shumë shpejt do të kemi një vendim se çfarë do të bëhet me abonetë në muajt në vazhdim."
Sektori urban apo ndërqytetas u godit nga probleme të njëpasnjëshme ndaj vazhdimisht ka kërkuar mbështetjen e qeverisë në mënyrë që t’u vijë në shërbim qytetarëve.
