Sa do të ishte çmimi i biletës së urbanit? Memaj: Do ta vazhdojmë ta kërkojmë biletën 70-80 lekë

Në emisionin e sotëm të “Ditë e re”, në RTV Ora u diskutua mbi transportin urban.

I ftuar në studio, ishte z. Dashnor Memaj, kreu i Shoqatës së Transportit Publik i cili dha një panoramë më të gjërë të realitetit me të cilin haset çdo ditë, përsa i përket vështirësive që ky sektor mbart.

Z. Memaj foli mbi rritjen e çmimeve që ka ndikuar shërbimin publik në këtë periudhë dhe për subvencionet e munguara nga shteti.

“Edhe pse na është prezantuar subvencion”, shprehet z. Memaj, “ne kërkojmë një politikë afatgjatë 1 vjeçare apo dhe më shumë.”

Gjithashtu kreu i Shoqatës së Transportit Publik u shpreh se zëri më i madh i kostos së këtij shërbimi është nafta, e që sipas tij ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë tek shërbimi.

Ndër të tjera z. Memaj rrëfeu dhe një disbalancë që sipas tij është jonormale, ajo e rritjes së çmimit të naftës dhe çmimit të palëvizur të biletës së autobuzit urban që është 40 lekë.

I pyetur nga moderatori se cila është vlera që duhet të paguajë qytetari për të patur një shërbim cilësor pa problematikat që ballafaqohen çdo ditë, z. Memaj shprehet se 70-80 lekë është një vlerë e kënaqshme për t’ë siguruar një shërbim cilësor.

“Nëse nga shteti nuk ka subvencione afatgjata, ne do ta kërkojmë rritjen e biletës”- përfundon kreu i Shoqatës së Transportit Publik.