Në kërkim të spiunëve, deputetët debat për iranianët dhe ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit
Hakerat iranianë nuk kanë lënë të qetë as deputetët e Komisionit të Ligjeve. Opozita ka kërkuar marrjen e masave, ndërsa mazhoranca e ka vënë theksin te krijimi i një strategjie që do të sillte rritjen e sigurisë. Por çështja e sekreteve ka rikthyer edhe dosjet e ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit ku si Alibeaj ashtu dhe PS duket se po shkojnë drejt një kompromisi.
Publikimi i sekreteve të policisë së shtetit, të dhënave personale të e-Albania e shumë e shumë materialeve të tjera kanë sjellë edhe debate në Komisionin parlamentar të Ligjeve.
Opozita ka ngritur shqetësimin për pasigurinë e krijuar nga sulmet.
Alibeaj: Të dhëna sensitive të shtetit shqiptar janë në duar të pasigurta.
Ministrja e Shtetit nga ana e saj nuk nguroi të shigjetonte opozitën, duke theksuar se kishim të bënim me një sulm armik.
Spiropali: Është armiqësor. Nuk është ashtu si disa nga kolegët tuaj, fatmirësisht ju jo, thatë në parlament apo shkruanit në rrjetet tuaja sociale se një grup fëmijësh gjunjëzojnë qeverinë shqiptare.
Ndërsa për masat e reja ajo u shpreh se plani po konsultohet me aleatët e më tej do të mbërrijë edhe në parlament.
Spiropali: Ky plan që në këtë fazë është konfidencial është dorëzuar në NATO pranë Sekretarit të Përgjithshëm, patjetër në DASH.
Shkak për debatet u bë diskutimi i projekligjit për informacionin e klasifikuar, i cili u shoqërua edhe me kërkesën për hapjen e dosjeve, ku palët sërish kanë dy mendime.
Alibeaj: Pas 32 vitesh të rënies së sistemit komunist dhe bashkë me të edhe të rënies të armës së fuqishme të Partisë së Sigurimit të Shtetit shoqëria shqiptare sot ka nevojë të njohë të shkuarën e vet.
Spiropali: Në rastet ku verifikohen dokumente që mund të kenë lidhje me sigurinë kombëtare ato nuk deklasifikohen sipas vendimit të Autoritetit.
Prej disa muajsh tashmë institucionet shqiptare po përballen me një sulm kibernetik, por nga ana tjetër edhe rikthimi i Metës në politikë ka bërë që PS të kërkojë hapjen edhe të sekreteve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit.
